Shifrat janë dramatike. Në Gjermani po vjen më shumë kokainë se kurrë më parë! Gjermania dhe Evropa u përmbytën nga pluhuri i bardhë i Amerikës së Jugut vitin e kaluar. Hetuesit gjermanë sekuestruan 43 tonë kokainë. Kujdes! Në vitin 2022 pati vetëm 20 tonë, më pak se gjysma. Ministrja e Brendshme Federale, Nancy Faeser (53 vjeç, SPD) e konsideroi këtë një alarm duke folur për BILD, duke e konsideruar një “ngopje me kokainë” dhe duke u shpallur “luftë ndaj karteleve të drogës”.
“Ne duam të ndalojmë tregtinë e drogës përpara se kokaina të arrijë në portet tona” – tha ajo.
Kjo drogë është kultivuar në Amerikën e Jugut për dekada të tëra, veçanërisht në Kolumbi, Bolivi dhe Peru. Problemi i fermerëve dhe karteleve të kokainës tashmë është se tregu i drogës në Amerikën e Veriut është i ngopur. Prandaj Evropa po vihet gjithnjë e më shumë në fokus të këtyre karteleve. Dhe kështu vjen tek ne kokaina.
Rruga nis nga plantacionet dhe kuzhinat e drogës në pyjet tropikale të Amerikës së Jugut nëpërmjet Ekuadorit, Panamasë dhe Brazilit përmes detit. Pikat kryesore të transportit janë portet e huaja. Kokaina fshihet në arkat e bananeve apo mes thasëve të kafesë. Përdoren gjithashtu zgavra në tavane ose në sistemin e ftohjes. Një hetues i tha BILD: “Nuk ka asgjë që nuk shërben si vend për ta fshehur.”
Por presioni nga Gjermania dhe Evropa për të kontrolluar portet në mënyrë më strikte po rritet. Ndaj kartelet po e kalojnë në rrugë alternative dhe me teknologji të reja. “Pakot e kokainës hidhen në det të hapur dhe më pas përdoren skafe apo varka gjysmë zhytëse të ndërtuara vetë dhe sillen në bord. Hetuesit mund të shikojnë vetëm më pas varkat shumë të motorizuara. Gjithçka ndodh me shpejtësi rrufeje” – tha hetuesi për BILD.
Kokaina për Gjermaninë zbarkon kryesisht në 3 porte: Antwerp (Belgjikë), Roterdam (Holandë) dhe Hamburg. Rrugët alternative tashmë të çojnë kryesisht në portet spanjolle dhe deri në Shqipëri. Trafikimi më popullor është fshehja në bordin e anijeve të mallrave. Pakot me drogë futen pas dyerve të çelikut të kontejnerëve. Pasi të mbërrijnë në porte, kontejnerët vendosen fillimisht në terminale. Mafia e quajtur “Uithalers” (Gënjeshtarët) marrin çantat në terminal dhe i nxjerrin nga barrierat. “Këta janë kryesisht të mitur me rrezik të ulët ndëshkimi” – thotë një hetues gjerman. Paga për çdo ngarkesë është disa qindra euro.
Dhënia e ryshfetit ose shantazhimi i punonjësve në zonën e portit është më efikas. Jepen të paktën 50 mijë euro për një kontejner, transportues ose shofer që i nxjerrin fshehurazi kontejnerët e kokainës, duke u dhënë numra të rinj dërgesash. Një hetues i tha BILD: “Nëse një punonjës porti refuzon, ai dhe familja e tij kërcënohen me vdekje. Ka pasur edhe vrasje”.
Një mashtrim i vjetër po kthehet në lojë për shkak të mbikëqyrjes së rreptë të porteve. Trafikantët e kokainës e hedhin mallin e tyre në ujërat bregdetare të Roterdamit, Valencias ose në grykën e Elbës duke e pajisur me një pajisje gjurmuese (GPS). Mafiozët e lokalizojnë transmetuesin dhe e marrin mallin në bord gjatë natës për ta sjellë në tokë me skafe, jahte me vela ose anije peshkimi.
Një rrugë tjetër kontrabande është ajo nga Amerika e Jugut në Afrikën Perëndimore (Guinea-Bissau, Senegal, Sahara Perëndimore) dhe prej andej në Spanjë, Itali ose Shqipëri dhe deri në Greqi ku kalohet ose me tragete të vegjël ose me skafe. “Mafia e drogës përdor të njëjtat rrugë përmes Afrikës si trafikantët e armëve dhe të njerëzve” – shpjegon një hetues.
Kokaina fillimisht ruhet në strehëzat e mafias dhe prej andej u dërgohet ndërmjetësve në të gjithë Evropën në pako që peshojnë nga 30 deri në 40 kilogramë. Mjetet e zakonshme të transportit janë makinat dhe kamionët.
Automjetet janë të pajisura me zgavra që mezi dallohen (në pult, nën sediljet e kamionit). “Vendet e fshehta janë shumë të siguruara dhe vështirë se mund të merren me mend. Ne kemi gjetur zgavra që mund të hapeshin vetëm me dy magnete në të njëjtën kohë. Nëse nuk e di se çfarë po kërkoni, nuk ke asnjë shans ta gjesh. Edhe qentë nuhatës i hutojnë me aroma irrituese” – tha hetuesi.
Rreth 50% e trafikantëve vijnë nga një vend jo anëtar i BE-së. Shumica janë nga Shqipëria. Ministrja e Brendshme Federale, Faeser i tha BILD: “Krimi i organizuar i ndikuar nga shqiptarët me lidhjet e tij deri në Amerikën e Jugut është në fokus të veçantë nga hetuesit tanë”.
Hetuesit gjermanë e dinë. Për një kohë të gjatë, shqiptarët ishin thjesht “këlyshët” që siguronin anijet, automjetet kontrabandë dhe personelin. Tani ata kanë marrë pjesë të mëdha të trafikut në Europë. “Grupet shqipfolëse janë të pranishme në të gjithë zinxhirin e trafikut, prodhimi, transporti nëpërmjet porteve, shpërndarja dhe shitja në Evropë” – thuhet në një dokument të autoriteteve gjermane të sigurisë që disponohet nga BILD. Në të gjithë Evropën numërohen 32 grupe që i përkasin mafias shqiptare.
Ministrja e Brendshme, Faeser paralajmëron se “spiralja masive e dhunës e shkaktuar nga krimi i organizuar” mund të përhapet edhe në Gjermani. “Ne duam ta parandalojmë patjetër këtë” – tha ajo për BILD. Janë disa incidente në Holandë që flasin për atë që shqetësohet ministrja.
Trafikantët arritën deri atje sa kërcënuan princeshën e Holandës, Amalia (vajzën e mbretit Willem-Alexander dhe mbretëreshës Maksima) dhe kryeministrin Mark Rutte. Pas kërcënimit ishte “Mocro Mafia” (“Mocro” do të thotë Marok). Banda kryesohej nga Karim Bouyakhrichan (46 vjeç me pseudonimin “Taxi”), i cili vinte nga Maroku. Thuhet se ai është përgjegjës për vrasjet e regjisorit Theo van Gogh (2004) dhe gazetarit Peter de Vries (2021).
“Taxi” u arrestua në Marbella (Spanjë) në fillim të vitit dhe do të ekstradohej në Holandë. Por një gjykatë spanjolle e liroi mafiozin pas 6 javësh në paraburgim. Shkak u bë një gabim në koordinimin e autoriteteve. Që atëherë ai ka qenë në arrati. Dhe familja mbretërore e Holandës mbetet në frikë!
Mbi-furnizimi global i kokainës po bën që çmimet në tregjet gjermane dhe ato ndërkombëtare të bien. “Koka, më e lirë se birra”, – ishte një titull në mediat gjermane së fundmi. Një gram kokainë kushton rreth 70 euro në klube ose në rrugë. Një gram është i mjaftueshëm për rreth 15 viza. Kjo është ekuivalente e 4.70 euro për person. Për krahasim, gjysmë litri birrë vështirë se mund të pihet për më pak se 5 euro në restorante apo klube.
Marzhi i fitimit të karteleve të drogës është ende i madh. Prodhuesit në Amerikën e Jugut paguajnë 2500 dollarë për një kilogram të helmit të bardhë. Kur shitet në rrugë në Evropë, e njëjta kilogram kushton deri në 80 000 dollarë. Fitimi është shumë më shumë se 3 000%! ©Marrë nga BILD, përshtati në shqip, LAPSI.al