Një incident i rëndë është regjistruar këtë të diel në plazhin e Velipojës, ku dy mjete lundruese Jet Ski janë përplasur me njëra-tjetrën. Policia thotë se ngjarja është regjistruar në thellësi të detit rreth 1 milje jashtë perimetrit të sigurisë, teksa dyshohet se shkaku kanë qenë manovrat e gabuara.
Dy mjetet lundruese drejtoheshin nga dy shtetasit italianë N. L., 19 vjeç, dhe S. D., 20 vjeç. Si pasojë e përplasjes ka humbur jetën i riu 19-vjeçar. Ai u transportua në Spitalin Rajonal të Shkodrës, por nuk mundi të mbijetojë. Ndërsa i riu tjetër është jashtë rrezikut për jetën. Policia thotë se të dy mjetet lundruese Jet Ski janë bllokuar nga shërbimet e Policisë Kufitare.
“Në vijim të veprimeve të kryera nga grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, u arrestua në flagrancë shtetasi S. D., 20 vjeç, banues në Napoli Itali, vëllai i të fejuarës së shtetasit N. L, që humbi jetën. Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vrasja nga pakujdesia” – thuhet në njoftimin e policisë.