Jacob Elordi i revoltuar në Paris: “Ma bëni jetën të pamundur”

Aktori Jacob Elordi pati një përballje të tensionuar me një fotograf këtë javë, teksa ndodhej në Paris.
Elordi, 28 vjeç, u filmua të mërkurën, më 10 dhjetor, në stacionin Gare du Nord, ku po përpiqej të udhëtonte pa rënë në sy. Në një video të shpërndarë online, një fotograf dëgjohet duke i thënë: “Jacob, ne të duam.”
Aktori hoqi njërën nga kufjet dhe iu përgjigj drejtpërdrejt: “Ma bëni shumë të vështirë të jetoj.” Kur fotografi e përsëriti: “Ne të duam”, Elordi reagoi sërish: “Unë nuk ju dua. Ma bëni shumë të vështirë të jetoj.”
Pas videos, shumë fansa dolën në mbrojtje të Elordit në rrjetet sociale.
“Kjo është sinqerisht zemërthyese. Fama nuk është justifikim për të shkelur kufijtë e dikujt,” shkroi një përdorues. “Të duash punën e dikujt nuk do të thotë t’ia vështirësosh jetën. Jacob meriton hapësirë dhe respekt si çdo njeri tjetër,” shtoi një tjetër.
Një koment tjetër theksonte: “Do isha irrituar që në sekondën e parë nëse dikush do më ndiqte kështu.”
Jacob Elordi u bë i famshëm fillimisht nga filmi i Netflix “The Kissing Booth”, ndërsa popullariteti i tij u rrit ndjeshëm me rolin në serialin “Euphoria” të HBO-së.
Projektet e tij të fundit përfshijnë “Saltburn”, “Priscilla” dhe “Frankenstein”, rol që i solli edhe një nominim për Golden Globe. Vitin e ardhshëm, ai do të luajë përkrah Margot Robbie në adaptimin e ri të “Wuthering Heights”, me regji nga Emerald Fennell.
Në një intervistë të fundit për podcastin Awards Chatter të The Hollywood Reporter, Elordi foli hapur për ndikimin e famës.
“U zgjova në një botë krejt tjetër,” tha ai. “Interneti është i çmendur. Ishte shumë frikësuese. Ndihesha sikur gjithçka po materializohej në jetën reale… sikur isha në The Truman Show.”









