POLITIKË

Kreshnik Spahiu: Berisha ndryshon kurs, heq flamujt amerikanë dhe nxjerrë ata gjermanë

Juristi Kreshnik Spahiu ka komentuar protestën e Partisë Demokratike të zhvilluar mbrëmjen e sotme në Tiranë, duke theksuar një element që, sipas tij, bëri diferencën nga tubimet e mëparshme: mungesa e flamujve amerikanë dhe zëvendësimi i tyre me flamuj të Gjermanisë.

Sipas Spahiut, kjo lëvizje përfaqëson një ndryshim simbolik dhe politik të rëndësishëm nga ana e liderit të opozitës, Sali Berisha. Ai e interpreton këtë si mbyllje të një kapitulli të mëparshëm, të lidhur me pritshmëritë për mbështetje nga Donald Trump dhe administrata e tij.

“PD ka eksperiencë në protesta dhe është e aftë të prodhojë lajm edhe me një numër të kufizuar pjesëmarrësish. Por protesta e sotme kishte një mesazh: PD fryn nga shkon era. U zhgënjye nga Trump, hoqi flamujt amerikanë dhe ngriti ata gjermanë”, u shpreh Spahiu.

Ai shtoi se pritshmëritë për një mbështetje të drejtpërdrejtë nga Shtetet e Bashkuara nuk u realizuan, duke përmendur se, sipas tij, nuk pati as ndryshim të statusit “non grata” për Berishën dhe as afrimitet institucional me Uashingtonin.

Në vijim, Spahiu u ndal edhe te raportet me Gjermaninë dhe procesi i integrimit europian, duke sugjeruar se Partia Demokratike po përpiqet të përshtatet me presionin dhe zhvillimet që vijnë nga Berlini, veçanërisht në çështje që lidhen me standardet e sundimit të ligjit.

Ai komentoi gjithashtu vizitën e një delegacioni të PD-së në Bundestag, duke pretenduar se deputetë gjermanë kanë kërkuar rinovim të lidershipit si kusht për rikthimin e opozitës në pushtet.

“U është thënë qartë: nëse doni të vini në pushtet, duhet të zgjidhni një lider të ri. Pyetja është nëse kjo u transmetohet apo jo publikut”, deklaroi Spahiu.

Në analizën e tij, juristi theksoi se, përtej debateve, Partia Demokratike po arrin të mbajë vëmendjen publike dhe të zbehë rolin e partive të tjera opozitare.

“Qëllimi për të mbajtur monopolin në opozitë është duke u realizuar. Duke mos lejuar alternativa të tjera të konsolidohen, Berisha arrin të mbetet figura kryesore në kampin opozitar”, u shpreh ai.

Deklaratat e Spahiut vijnë në një moment kur klima politike në vend është e tensionuar dhe opozita vijon protestat kundër qeverisë së Edi Rama.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button