Kthimi në detyrë i Ballukut/ Blushi: Kushtetuesja, instrument i mbrojtjes së Ramës

Pak pas Gjykata Kushtetuese shpalli vendimin e saj zyrtar për marrjen në shqyrtim të ankimimit të qeverisë për çështjen “Balluku”, duke rrëzuar vetëm pezullimin e SPAK-GJKKO derisa të marrin vendimin konstitucional pas disa javësh, ka sjellë edhe reagime të forta politike.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, deklaroi se Gjykata Kushtetuese sot materializoi kapjen e saj nga qeveria e kryeministrit Edi Rama.
Ai nënvizoi se PL dhe presidenti i saj i burgosur, Ilir Meta, e kishin paralajmëruar këtë kapje që do sillte edhe pasoja të rënda.
“Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese për rikthimin e Belinda Ballukut në detyrë është një tjetër provë në dritë të diellit e kapjes së plotë të sistemit të drejtësisë nga Edi Rama. Partia e Lirisë dhe Presidenti Ilir Meta prej kohësh kanë paralajmëruar se kapja e Gjykatës Kushtetuese do të sillte pasoja shumë shumë të rënda për vendin”, shprehet ai mes të tjerash.
Blushi nënvizon se kjo është humbje e madhe për popullin shqiptar dhe se Gjykata Kushtetuese “që duhej të ishte barriera e fundit ndaj abuzimit të pushtetit është shndërruar në një instrument zyrtar të mbrojtjes politike, pandëshkueshmërisë dhe garantimit të imunitetit politik për korrupsionin e përbindshëm të Edi Ramës.”









