“Maldivet e Europës” pa drita, Dhërmiu në errësirë për tre orë

Në kulmin e sezonit turistik, fshati turistik i Dhërmiut u zhyt për rreth tre orë në errësirë, duke lënë pa energji elektrike jo vetëm banesat e fshatit, por edhe hotelet e luksit që në këtë periudhë presin numrin më të madh të pushuesve. Ndërprerja e dritave, e ndodhur në mbrëmje, krijoi kaos në shërbimet bazë, nga kuzhinat e restoranteve deri tek kondicionerët e dhomave, duke nxitur pakënaqësi të hapur mes turistëve vendas e të huaj.
Paradoksi është se, ndërsa banorët e zonës dhe pronarët e bizneseve improvizojnë me gjeneratorë, reklamat turistike vazhdojnë pa ndërprerje në ekranet televizive dhe rrjetet sociale, duke e trumbetuar Shqipërinë si “Maldivet e Europës”. Mungesa e energjisë elektrike në mbrëmje si këto i shtohet furnizimit me orar të kufizuar të ujit dhe derdhjes së ujërave të zeza në det.
Banorë dhe biznesmenë lokalë thonë se kjo nuk është hera e parë që ndodhin ndërprerje të tilla, por fakti që ato përsëriten pikërisht në periudhën kur kërkesa për energji është më e lartë, e bën situatën edhe më të papranueshme. Ndërkohë, autoritetet nuk japin shpjegime për shkakun e kësaj ndërprerjeje.








