Mediat greke kanë publikuar pamjet nga një përplasje me armë që ndodhi në orët e para të mëngjesit të së shtunës në Gazi, një prej lagjeve të Athinës. 3 të rinj nga Kreta kanë mbetur të plagosur rëndë me armë zjarri. Njëri prej tyre është në gjendje kritike për jetën në spital i goditur me plumb në kokë. Siç duket edhe në pamjet e publikuara, autori i ka qëlluar në gjakftohtësi 3 të rinjtë pas një debati përpara një lokali nate.
Nga pamjet e fiksuara nga kamerat e sigurisë shihen 2 persona që zbresin nga një makinë Range Rover dhe u drejtohen 3 të rinjve nga Kreta duke u grindur me ta. Më pas fillon një sherr dhe një i ri godet me grusht shoferin e Range Rover ndërsa pasagjeri godet me shkelma dhe grusht një tjetër. Brenda pak sekondash dhe para syve të qindra klientëve të klubit të natës, personi i armatosur nxjerr armën dhe fillon të qëllojë.
Fillimisht shënjestron të riun që u godit me mikun e tij dhe më pas qëllon në kokë personin e dytë që po tenton të largohet ndërsa nuk heziton të qëllojë edhe një anëtarë të tretë të grupit që po shikonte përleshjen. Nga video konfirmohet se autori ka hapur zjarr me një pistoletë të vogël duke synuar kokën. Policia ka në dorë materialin konkret si dhe deklaratat e 7 anëtarëve të grupit që u shpëtuan plumbave të autorit.
Sipas informacioneve, të rinjtë kanë dëshmuar se sherri ka nisur për një motiv banal kur njëri prej tyre u ka bërtitur “eeee” të tjerëve, por autori mendoi se po fliste me ta. Menjëherë, ata ndaluan makinën Range Rover dhe dolën t’u kërkonin llogari të rinjve, të cilët u përgjigjën se nuk po flisnin me ta. Megjithatë fjalët ua lanë vendin plumbave.