OP/ AN

Kur humbasim njerëzoren, humbasim gjithçka.

Nga : Çaku Tafa

Në mbi 20 vite në fushën e medias, kam parë shumë fytyra të kësaj shoqërie: dritë dhe errësirë, njerëzillëk dhe pamëshirë, shpresë dhe zhgënjim. Por një gjë më dhemb më shumë se çdo tjetër: humbja graduale e ndjenjës njerëzore. Ajo që dikur na dallonte, sot duket se po shuhet me shpejtësi të frikshme.

Dikur njeriu sakrifikonte për njeriun. Gëzohej me të mirën e tjetrit, e shihte si pjesë të vetes. Sot shoh vetëm sy që shmangen, jo sy që kërkojnë mirëkuptim; shoh gishta që gjykojnë, jo duar që ndihmojnë. Sikur një mjegull e zezë ka zbritur mbi shoqëri – një errësirë që përhapet dhe gërryen ngadalë çdo vlerë njerëzore.

Marrëdhëniet tona janë shndërruar në fushë minash. Kolegë, të afërm, miq – prej gjërave më të vogla kthehemi kundër njëri-tjetrit. Hamë e pimë bashkë, e sapo largohet tjetri, e mbushim ajrin me fjalë të këqija. Intriga, zili, thika pas shpine… një ritëm i përditshëm, por i papranueshëm për një vend që dikur mburrej me besën dhe fisnikërinë.

Pastaj vijnë krimet: prindër të vrarë nga fëmijët, vëllezër që vrasin vëllezër, të rinj që vrasin për një fjalë, për një shikim. Krime me pagesë, njerëz që ushqehen me tragjeditë e të tjerëve si hijenat me kufoma. Një realitet që nuk përfaqëson shumicën, por që forcohet çdo ditë nga mosndëshkimi dhe mungesa e drejtësisë.

Dhe politikanët? Ata që duhej të ishin modeli i përgjegjësisë, prej vitesh ushqehen nga korrupsioni, ndërsa populli vazhdon t’i duartrokasë. Një shoqëri që lufton për hajdutin me kollare, ndërsa e vërteta dhe e drejta humbasin në zhurmë.

Ka momente kur më vjen të largohem nga ky vend – një vend i bekuar nga natyra, por i mallkuar nga qeveritë që e kanë drejtuar me mendësi të sëmurë, brez pas brezi.

Më vjen keq për fëmijën tim. Për ëndrrat e tij të pastra kur më thotë se do të bëhet inxhinier, pilot, doktor. Dhe unë pyes veten: Ku do t’i marrë këto dije?
Në ç’arsim do të formohet? Në ato shkolla që mbyllen për mungesë nxënësish? Apo në ato ku dhuna është bërë gjuhë e përditshme? Ku 12-vjeçarët ecin me cigare në dorë e thikë në xhep? Në çfarë realiteti do të ndërtohet e ardhmja e tyre?

Mllefi im nuk lidhet me vendin, por me mënyrën si është udhëhequr. Nga koha e Skënderbeut e deri te politikanët e sotëm, Shqipëria ende nuk është bërë ashtu siç duhet. Dhe pyetja lind vetvetiu: a do të bëhet ndonjëherë?

E megjithatë, pavarësisht gjithçkaje, brenda nesh ka ende një fije shprese. Mjafton ta rizgjojmë. Mjafton të rikthejmë atë që kemi humbur prej kohësh: mendjen e kthjellët dhe zemrën njerëzore. Pa to, asnjë vend, asnjë shoqëri dhe asnjë e ardhme nuk mund të mbijetojë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button