Saturday, November 9, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeSHËNDETKurë e re kundër kancerit, shpresë pacientëve pa zgjidhje

Kurë e re kundër kancerit, shpresë pacientëve pa zgjidhje

Një eksperiment në Mbretërinë e Bashkuar zbuloi se kombinimi i barnave mund të funksionojë aty ku tumoret janë bërë rezistente ndaj imunoterapisë.

Një trajtim i ri i kancerit mund të ndalojë avancimin e sëmundjes te pacientët që janë rezistentë ndaj imunoterapisë, kanë zbuluar mjekët, njofton The Guardian sot në një artikull ekskluziv.

Imunoterapia përdor sistemin imunitar për të sulmuar dhe vrarë qelizat e kancerit dhe mund të shpëtojë jetë kur format e tjera të trajtimit, si kirurgjia, radioterapia ose kimioterapia, nuk arrijnë të funksionojnë. Megjithatë, nuk mund t’i ndihmojë të gjithë pacientët dhe disa tumore mund të evoluojnë për t’i rezistuar.

Tani onkologët në Mbretërinë e Bashkuar kanë gjetur një trajtim me dy drejtime – imunoterapia e kombinuar me guadecitabinë, një ilaç i ri eksperimental – mund të ndryshojë rezistencën e kancerit ndaj imunoterapisë. Pacientët që pritej të vdisnin pasi kishin shteruar të gjitha opsionet e trajtimit mbijetuan shumë më gjatë, zbuluan ata.

Kombinimi i pembrolizumabit, një ilaç imunoterapie, dhe guadecitabine, një agjent hipometilues i ADN-së i gjeneratës së ardhshme, ndaloi përparimin e kancerit në më shumë se një të tretën e pacientëve të regjistruar në provën e hershme të fazës 1. Rezultatet janë publikuar në Journal for ImmunoTherapy of Cancer.

Kombinimi i dyfishtë mund të bëhet një armë e re efektive kundër disa formave të kancerit, thanë ekspertët në Institutin e Kërkimit të Kancerit dhe Fondacionin Royal Marsden NHS.

Pacientët në këtë eksperiment, nga spitali Royal Marsden dhe University College London, përfshinin ata me kancer të mushkërive, të gjirit, të prostatës dhe të zorrëve.

“Unë mendoj se një nga gjërat më të rëndësishme në lidhje me këtë eksperiment është se ne përdorëm metoda të shumta të ndryshme për të kërkuar për ndryshime në sistemin imunitar, që treguan fuqishëm se ai po ndikohej nga trajtimi i kombinuar,” tha kërkuesi kryesor i studimit, Prof Johann de Bono.

De Bono, një profesor i kërkimeve ndaj kancerit në Institutin e Kërkimeve të Kancerit dhe një onkolog mjekësor konsulent në Royal Marsden, shtoi:

“Në terma afatgjatë ne shpresojmë që nëse këto efekte konfirmohen në grupet e tjera të pacientëve dhe në studimet e ardhshme, guadecitabine dhe pembrolizumab mund të ndihmojnë për të trajtuar një pjesë të rezistencës ndaj imunoterapisë, që e ndeshim në shumë lloje të kancerit.

Studiuesit përdorën guadecitabine dhe pembrolizumab për të kuruar 34 pacientë me kancer, 30 prej të cilëve iu analizuan tumoret për aktivitetin imunitar dhe zhvillimine kancerit. Çdo tri javë për tri vjet, atyre iu bëhej një injeksion i guadecitabine-s për katër ditë rresht – dhe i pembrolizumab në ditën e parë të atyre ditëve.

Pembrolizumab është një ilaç frenues i pikës së kontrollit imunitar që tashmë ka rezultuar i suksesshëm në trajtimin e një sërë kanceresh, duke përfshirë kancerin e mushkërive dhe të lëkurës. Megjithatë, tumoret mund të zhvillojnë rezistencë ndaj tij dhe disa pacientë që fillimisht përfitojnë, në fund sëmuren.

Drejtuesja e studimit, Dr Anna Minchom, një shkencëtare klinike në Institutin e Kërkimit të Kancerit dhe një onkolog mjekësor konsulent në Royal Marsden, tha: “Imunoterapia ka treguar premtime të mahnitshme në kujdesin ndaj kancerit gjatë dekadës së fundit, por nuk funksionon mirë në të gjitha kanceret dhe kanceret shpesh mund të bëhen rezistente. Ky kombinim mund të jetë një mënyrë për të sulmuar kancerin e tyre edhe pasi ai të ketë pushuar së reaguari ndaj imunoterapisë.”

Guadecitabina mund të ndihmojë në kapërcimin e kësaj rezistence, kanë zbuluar mjekët, studiuesit dhe shkencëtarët e përfshirë në eksperiment.

Nga 30 pacientë, aktiviteti i kancerit të të cilëve u analizua, për 37% sëmundja u ndal në gjurmët e saj, pa përparim të tumorit për 24 javë ose më shumë.

Tri të pestat e grupit (60%) ishin rezistente ndaj imunoterapisë përpara eksperimentit. Prej tyre, pothuajse katër ndër 10 (39%) nuk u sëmurën pas marrjes së kombinimit të barnave.

Kura e re duket veçanërisht e dobishme për pacientët me kancer të mushkërive. Nga ata që rezistonin ndaj imunoterapisë, gjysma e kishin sëmundjen e tyre të kontrolluar për 24 javë ose më shumë.

Alison Soëden, 61 vjeçe nga Dorset, u diagnostikua me kancer në mushkëri katër vjet më parë dhe iu tha se kishte një vit jetë, por më pas mori pembrolizumab për tre vjet.  Ajo tani është pa kancer.

“Unë e di se ka një shans që kanceri im të kthehet dhe të zhvillojë rezistencë ndaj trajtimit, kështu që është duhet të dimë se përpjekjet kërkimore që synojnë të mposhtin rezistencën e kancerit ndaj imunoterapisë, janë duke u bërë,” tha ajo. “Shpresoj se ky kombinim i ri eksperimental i barnave do të arrijë përfundimisht në spital dhe do të ndihmojë njerëzit që kanë krijuar rezistencë ndaj pembrolizumab-it.”/ar.sh/SYRI.NET

Image
Image
POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME