Nekid Arapi dyshohet se është një prej të arrestuarve në Angli, për pengmarrjen dhe torturimin e shqiptarit Nertil Buzi, në këmbim të 400 mijë paundëve.
Arapi është një emër i njohur edhe për drejtësinë shqiptare, ndërsa rezulton i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Përkrahja e autorit të krimit” në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 302/1, 25 të Kodit Penal, për një ngjarje të vitit 2018, në Vlorë, ku është vrarë me armë zjarri shtetasi Vasil Dervishaj.
Më pas çështja ndaj tij është pushuar me vendim të shkallës së parë.
Rrethanat e çështjes
Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë ka paraqitur para asaj gjykate në datën 31.7.2019, kërkesën për dërgimin në gjyq të çështjes penale nr. 1044, viti 2018, në ngarkim të të pandehurve, sipas objektit të cituar në pjesen hyrëse të këtij vendimi.
Nga tërësia e akteve të ndodhura në fashikullin e gjykimit rezulton se ky procedim është rregjistruar lidhur me ngjarjen e ndodhur në datë 04.06.2018, ku rreth orës 22.35, në lagjen “Pavarësia”, rruga “Çajupi”, të qytetit Vlorë, konkretisht në vendin e quajtur ish-Kombinati i Peshkut, është vrarë me armë zjarri shtetasi Vasil Dervishaj, i datëlindjes 1988, lindur në Kotë dhe banues në lagjen “10 Korriku”, Vlorë. Pas kryerjes së veprimeve të para hetimore dhe administrimit të pamjeve filmike të kamerave të sigurisë të disa ambjenteve ku ka ndodhur ngjarja dhe rrugës së përshkruar nga automjeti i përdorur nga autoret e dyshuar të vrasjes, përveç regjistrimit të çështjes për veprat penale të parashikuara nga nenet 76, 278/1 të Kodit Penal (KP), me urdhërat e prokurorit datë 06.06.2018 dhe 12.06.2018 është kryer rregjistrimi i procedimit penal edhe për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Moskallëzimi i krimit”, parashikuar nga nenet 302 dhe 300 të Kodit Penal, si edhe i emrave të personave nën hetim për këtë procedim penal. Po kështu, nga ana e prokurorit është urdhëruar edhe ndalimi i këtyre shtetasve të dyshuar, për shkak të rrezikut të ikjes së tyre dhe fshehjes ndaj hetimeve që po kryeshin lidhur me zbardhjen e ngjarjes.
Viktima ka shkuar në vendin e ngjarjes me automjetin e tij të markes “Ford Focus”, me ngjyrë të zezë, me targë italiane DD 476 AF dhe është qëlluar kur ka qenë jashtë automjetit, i cili është gjendur i ndezur, me derën e hapur dhe pozicionuar në karrexhatën e djathtë të rrugës. Vrasja është kryer duke përdorur vetëm një armë zjarri pistoletë ende e paidentifikuar si armë, por që rezulton armë zjarri në të cilën përdoren fishekë luftarak 9 mm. Në drejtim të viktimës është qëlluar të paktën pesë herë, dy prej të cilave i kanë prekur trupin.
Vrasja është kryer nga brenda një automjeti të markes “Audi AS”, me ngjyrë gri të hapur, me tre porta dhe targë AA 830 RA, me numur shasie EAUZZZ8T28A032614, në pronesi të shtetases Dorina Avdia, por në posedim si drejtues nga i pandehuri Ergest Avdia dhe pasagjer të dyshuarit Andi Caushi dhe Donel Shkurti.
I pandehuri Ergest Avdia është autori që ka poseduar dhe qëlluar me armë zjarri pistoletë viktimën Vasil Dervishaj, pa zbritur nga automjeti “Audi A5″ me targë AA 830 RA.
I pandehuri Ergest Avdia është larguar nga vendi i ngjarjes dhe i është fshehur hetimeve duke u përkrahur dhe ndihmuar nga te dyshuarit Amarildo Grembi Mukaj dhe Nekid Arapi.
Të pandehurit Andi Caushi dhe Donel Shkurti nuk kanë njoftuar për ngjarjen e ndodhur policinë e shtetit, pavaresisht se kanë qenë në të njëjtin automjet me autorin e vrasjes në momentin e ngjarjes”, thuhet ndër të tjera në dosje.
Kujtojmë se pas denoncimit të familjes së tij, në fshehtësi të plotë autoritetet shqiptare komunikuan me policinë Britanike dhe kërkuan ndihmë për rastin. Një skuadër prej 8 hetuesish Britanikë zbuluan se pengu mbahej në një ambientet në Londrën Lindore. Ai quhej Nertil Buzi dhe në Shqipëri nuk kishte asnjë rekord kriminal, por duket se në Angli ishte përshirë në aktivitetin kriminal të trafikut të drogës.
Operacioni për lirimin e tij u kodua Pengu dhe u zhvillua nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Metropolitan Police dhe asistencën e NCA-së Britanike, Agjencia kombëtare kundër krimit të organizuar.
Burime të besuara thanë se 30-vjeçari ishte dhunuar rëndë gjatë mbajtjes peng. Në pranga për marrjen peng të tij përfunduan 7 shtetas shqiptarë të gjithë të evidentuar si persona me rekorde kriminale ne Angli. Policia bëri me dije se Operacioni është në vijim dhe ka gjasë që numri i të arrestuarve të rritet.