OP/ ANTOP-NEWS

Lëvizjet në PS për zgjedhjet 2027. Ndarje në Qarkun Fier dhe emra të rinj në skenë.

Nga ALB365 – Takimet e shpeshta të kryeministrit Edi Rama me drejtuesit politikë dhe  deputetë të Partisë Socialiste tregojnë se kjo forcë politike ka nisur herët përgatitjet për zgjedhjet e vitit 2027. Strukturat drejtuese në bazë dhe njësitë administrative janë vënë në lëvizje, ndërsa sinjalet që pretendon qendra janë për një fitore më të thellë krahasuar me zgjedhjet vendore të vitit 2025.

Një rol kyç në këtë proces po i besohet ish zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila vijon të mbetet drejtuesja politike e qarkut Fier. Objektivi i saj është i qartë: një rezultat më i fortë dhe konsolidim i strukturave në këtë qark.

Por zhvillimet e fundit tregojnë për një situatë më komplekse në Fier. Burime brenda Partisë Socialiste flasin për një ndarje të strukturave në tre grupime: një që mbështet kryebashkiakun Armando Subashi dhe një tjetër që qëndron pranë Belinda Ballukut. Një e tretë mbetet me mbështetësit e klanit Baftjar Zeqo me Petro Koçi. Kjo ndarje lidhet edhe me emërimet në administratën vendore dhe ndërmarrjet shtetërore, ku thuhet se janë favorizuar mbështetësit e saj deri aty sa emëroi dhe katër nënkryetarë bashkie.

Në këtë klimë, përflitet se një nga kandidaturat kryesore për Bashkinë e Fierit mund të jetë Ceno Klosi, i cili pritet të lërë mandatin e deputetit për të garuar në nivel vendor. Emër tjetër përflitet dhe po luhet fortë në prapaskenë është edhe ai i drejtorit aktual të Spitalit Rajonal Fier Arben Vojo edhe pse ai ka probleme me drejtësinë pasi ka dy dosje, njëra në SPAK dhe tjetra në gjykatën e juridiksionit Fier. ( Çdo person derisa nuk ka një vendim të formës prerë prezumohet i pafajshhëm)

Ndërkohë, në Bashkinë e Rroskovecit, aktualja Majlinda Bufi mund të mos rikandidojë, për shkak të ftohjes së marrëdhënieve politike, por dhe problemeve që ka me SPAK-un.  Në vend të saj, flitet për një kandidaturë të re “prodhim i Belindës” Zengjine Caushi e mbështetur nga Balluku.

Në Patos, situata duket më e qetë. Kryebashkiaku aktual Fation Duro pritet të rikandidojë, pavarësisht disa përplasjeve të mëparshme me dreputeten të cilat tashmë janë zbutur.

Edhe pse është përfolur për një periudhë ftohjeje në marrëdhëniet mes kryetarit aktual të Bashkisë Patos, Fation Duro, dhe deputetes së Partisë Socialiste për qarkun Fier, Antoneta Dhima, së fundmi sinjalet tregojnë për një zbutje të situatës.

Zërat që qarkullonin më herët në mënyrë jozyrtare për një përplasje mes tyre duket se janë fashitur, të paktën në publik. Vetë protagonistët kanë zgjedhur të shfaqen së bashku në aktivitete të ndryshme, duke publikuar edhe foto në rrjetet sociale, çka interpretohet si një përpjekje për të treguar se marrëdhëniet janë normalizuar.

Megjithatë, në prapaskenë, burime politike bëjnë me dije se Antoneta Dhima është ende në kërkim të një figure alternative, e cila mund të sfidojë Fation Duro në garën për drejtimin e Bashkisë Patos edhe pse flitet se Duro me Ramën kanë mardhënie shumë të mira. Sa do të konkretizohet kjo nismë, mbetet për t’u parë, pasi lidhet ngushtë edhe me raportet që deputetja ka me drejtuesen politike të qarkut, Belinda Balluku.

Në Bashkinë e Lushnjës, kryetarja aktuale Eriselda Sefa pritet të rikandidojë, duke synuar një mandat të ri në krye të këtij institucioni.

Ndërkohë, në Divjakë, situata paraqitet më e paqartë. Ka sinjale për një mundësi ndryshimi në drejtimin e bashkisë, ku përflitet për largimin e kryetarit aktual dhe zëvendësimin e tij me një kandidaturë të re nga vetë qyteti.
Këto zhvillime lidhen edhe me një ftohje të raportit mes drejtuesit aktual të bashkisë dhe strukturave qendrore të Partisë Socialiste.
Takimi i zhvilluar nga kryeministri Edi Rama me strukturat në Divjakë, si dhe debatet e hasura gjatë tij, ku nuk munguan edhe kundërshtitë nga fermerë dhe banorë të zonës, duket se kanë ndikuar në krijimin e një distance politike.

Sa i përket Mallakastrës, ende nuk ka një emër të konfirmuar, por përflitet për lëvizje dhe tentativa për të gjetur një kandidat konsensual që të bashkojë mbështetjen nga të gjitha krahët. Flitet se  kryetari aktual Qerim Ismailaj nuk do të rikandidojë e në vënd të tij përflitet për kryetarin e PS të kësaj bashkie Zamir Malasi.

Të gjitha këto zhvillime tregojnë se Partia Socialiste ka nisur një proces të brendshëm riorganizimi dhe pozicionimi për zgjedhjet e ardhshme. Ndërkohë, në krahun tjetër, Partia Demokratike është e përfshirë në procesin e zgjedhjes së drejtuesve të saj në degë dhe në nivel qendror.

Kjo situatë ka reflektuar edhe në marrëdhëniet me drejtuesen politike të qarkut, Belinda Balluku, duke shtuar pikëpyetjet mbi kandidaturën që do të përfaqësojë Partinë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme vendore në këto bashki.

Gara politike për vitin 2027 duket se ka nisur që tani, me lëvizje të shumta dhe përpjekje për të konsoliduar terrenin elektoral në të gjithë vendin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button