Loja retorike e shpërqëndrimit dhe ndërsimit të drejtësisë në kah ta gabuar!

Nga Armand Braho
Prej kohësh kam trajtuar disproporcionalitetin në caktimin e masave të sigurimit personal, si një problem strukturor të drejtësisë penale shqiptare. Këtë çështje e kam analizuar në mënyrë të detajuar në punimin shkencor “Disproporcionaliteti në caktimin e masave të sigurimit personal në gjykatat shqiptare: përdorimi i shpeshtë i paraburgimit për vepra me rrezikshmëri të ulët, në vend të masave alternative – rast studimi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë”, botuar në revistën shkencore Law Journal në vitin 2025.
Sot, kjo temë më në fund është vendosur në qendër të debatit publik dhe politik. Por jo pa rrezik deformimi.
Fakti mbetet i pandryshuar dhe duhet thënë troç që disproporcioni po përdoret kryesisht për veprat e lehta penale. Paraburgimi po aplikohet si masë pothuajse automatike për persona pa rrezikshmëri shoqërore, pa rrezik arratisjeje dhe pa potencial real për përsëritje të veprës. Ndërkohë, në anën tjetër të peshorës, zyrtarë të lartë të akuzuar për korrupsion trajtohen me masa më të buta, me një standard tjetër drejtësie.
Tryezat e sotme dhe komentet e kryeministrit tentojnë të zhvendosin fokusin e diskutimit, duke e paraqitur problemin si teknik apo procedural. Në thelb, kjo është një metodë e njohur, të flitet shumë për drejtësinë, për të mos folur për përgjegjësinë penale të pushtetit dhe mëkëmbësit të tij.
Disproporcionaliteti nuk është një devijim aksidental. Ai është instrument pushteti. Dhe kur përdoret selektivisht, shndërrohet në mekanizëm amnistie politike për korrupsionin e nivelit të lartë, ndërsa godet fort qytetarin e zakonshëm. Çdo debat që harron këtë thelb, është vetëm zhurmë.









