POLITIKË

Mblidhet Gjykata Kushtetuese, Balluku futet në kryeministri

Trupa e Gjykatës Kushtetuese është mbledhur sërish paradite e kësaj të premte, ndërsa Belinda Balluku ka shkuar në kryeministri.

Burime për mediat bëjnë me dije se Kushtetuesja është mbledhur rreth orës 11:00, ndërsa ende nuk dihet nëse mbledhja ka të bëjë me çështjen e dërguar nga Qeveria në Kushtetuese sa i përket masës së sigurisë për pezullimin e zv/kryeministres Belinda Balluku, apo në lidhje me ndonjë çeshtje tjetër.

Në pritje të vendimit të Kushtetueses, Balluku është parë të shkojë në zyrat e Këshillit të Ministrave. Edhe pse ende nuk është bërë i ditur objekti i mbledhjes, prezenca e Ballukut tek zyrat e Ramës lë të kuptohet se GJK mund të marrë një vendim.

Kujtojmë se GJKKO, me kërkesë të SPAK, e pezulloi nga detyra zv/kryeministren Balluku në nëntor në vitit të kaluar, pasi u mor e pandehur për abuzime në tendera, por kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë si shkelje të kompetencave të tij.

Me këtë argument, ai e çoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese, dhe seanca publike me të gjitha palët u mbajt më 22 janar.

“Kontrolle për “Range Rover-in e Flamur Nokës”/ Berisha: Kërkuan faturat, doli firma e Lul Bashës!
Nga ana tjetër, SPAK i është drejtuar edhe me një kërkesë Kuvendit, ku kërkon heqjen e imunitetit të Ballukut si deputete, dhënien e autorizimit dhe hapjen e rrugës për të dhënë një masë më të ashpër sigurie si ajo e arrestit në shtëpi apo në burg.

Socialistët kanë shtyrë mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, duke pretenduar se duhet pritur së pari vendimi i Kushtetueses. Po opozita argumenton se kërkesa për arrestim nuk ka të bëjë me pezullimin dhe për rrjedhojë pretendimi që përdor maxhoranca nuk qëndron.

Mbetet për tu parë çfarë vendimi do të marrë Kushtetuesja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button