Tuesday, December 3, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeKRYESOREMË MIRË "M"... SESA I VARFËR

MË MIRË “M”… SESA I VARFËR

Nga Andi Bushati – Në Shqipëri përbën mallkim të jesh i varfër. Ky është konkluzioni i parë dhe i vetëm i skandalit të mikro kredive, që prej disa kohësh, po rrihet mbarë e prapë, duke anashkaluar në mënyrë ulëritëse thelbin.

Disa synojnë ta lënë përgjegjësinë te Banka e Shqipërisë, një palë e dytë mëton të drejtojë gishtin tek qeveria dhe ministria e Drejtësisë, që kanë dështuar të kontrollojnë një tufë përmbaruesish abuzues, ndërsa të tjerë fajësojnë parlamentin që ka neglizhuar të ngrejë kuadrin e nevojshëm ligjor për të ndaluar krimet e monstrave të financës. Por edhe në këtë rrëmujë opinionesh, se kujt do t’i mbetet faji, pak kush kujtohet për viktimat e vërteta, ata nga 30 mijë deri në 100 mijë (nuk ka transparencë për shifrën) që përbëjnë pjesën më të vobektë dhe vulnerabël të shoqërisë.

Simboli i tyre u bë Pal Trashaj, që i dha fund jetës një muaj më parë në dyert e SPAK, pasi nuk e përballonte dot më lakun e borxheve që po i merrte frymën. Ai u largua nga kjo jetë vetëm për 76 mijë lekë kredi, që pati marrë plot 16 vjet më parë, kamatat e së cilës vijonin ta përndiqnin si hije.

Për të kuptuar historinë e tij dhe të shumë të ngjashmëve të vet, duhet njohur pak ecuria e ngjarjeve. Në vitet 2015- 2016, sistemi ynë bankar ishte në prag të kolapsit. Bankat e nivelit të dytë numëronin në portofolin e tyre gati 25% kredi të këqia. Qeveria Rama 1 dhe ministria e Financave u angazhuan vetë për të ristrukturuar dhe lehtësuar borxhet e më të mëdhenjve. Për të vegjlit, për ata që kishin marrë borxh sa për të mbajtur ndonjë biznes gjallë, apo për të mbyllur ndonjë brimë në shtëpi, u zbatua një skemë tjetër. U bë ligji për krijimin e kompanive që mblidhnin këto kredi të pashlyera.

Dhe pikërisht këtu, bashkë me lejimin e kompanive të mikrokredive, u krijua një skemë mafioze. Financierë, përmbarues privatë, noterë e gjyqtarë formësuan lidhje okulte, që me anë kërcënimesh e mashtrimesh t’u rrëmbenin kredimarrësve të vegjël deri tetëfishin e shumës që ata patën marrë hua dikur. Me metoda brutale, përmbaruesit shantazhonin të pambrojturit me sekuestrimin e pasurive dhe me nxjerrjen nga shtëpia. Pas tyre i vinte radha “dorës së ngrohtë” të financierëve që ofronin zgjidhje duke dhënë një mikro kredi me kushte robëruese për të larë të parën. E kështu, ai që kishte pasur dikur nevojë për një grusht lekësh, shndërrohej në mënyrë të pakthyeshme në viktimë.

Kjo skemë është bërë tashmë e njohur nga zbërthimi që i ka bërë prokuroria, që ka çuar edhe në sekuestro dy nga kompanitë abuzuese, por pyetja që shtrohet pas zbulimit të saj është: si askush nuk e vuri ujin në zjarr për më të pambrojturit? 

Po të ndjekësh sagën e këij skandali, kupton se ekzistonte një merak i shtuar për të shëruar bankat nga kreditë e këqia, se u bë ç’mos për të reduktuar borxhet e kapitenëve të oligarkisë, por se asksush nuk e çau kokën për ata dhjetra mijëra vikima që u lanë në mëshirë të fatit.

Pse ndodhi kështu?

E gjithë kjo neglizhencë për të mbrojtur hallkën e fundit të zinxhirit, kjo harresë për fatin e më të dobtëve, e ka një sfond dhe një shpjegim. Vendi sot qeveriset nga një forcë politike, e mbështetur nga një kastë e verbuar nga etja për fitim, e cila e konsideron si faj dhe turp varfërinë dhe që as nuk e ka në radarët e vet solidaritetin me të prekurit prej saj. Jo më kot, që në nisje të erës rilindase, shefi i saj i ftoi investitorët e huaj të zbarkonin në këtë vend ku punëtorët shfrytëzoheshin më lehtë, pasi nuk ekzistonin sindikatat. Jo më kot, shumë vite më pas, ai u bëri thirrje biznesmenëve vendas të punësonin bangladeshas dhe t’i zbonin ata pasi të mësonin shqip dhe të tuboheshin për të mbrojtur të drejtat e tyre.

Skandali i micro kredive/ Një tjetër vetévrasje në skemën e MCA

Partia që erdhi në pushtet duke ulëritur për padrejtësinë e 5% të shqiptarëve që kishin pasuri sa 95%-shi tjetër i popullsisë, përfundoi duke i shtuar pabarazitë në vend. Sot, në parajsën turistike të kontinentit, më shumë se gjysmës së popullsisë nuk ia mban xhepi të shkojë me pushime. Eshtë e njëjta gjysëm që sipas studimeve ndërkombëtare rrezikon të bjerë në mjerim, duke jetuar me më pak se 5 USD në ditë.

Në këtë filozofi e merr përgjigjen edhe pyetja naive se si qe e mundur që askush nuk u kujtua për të mbrojtur viktimat e vrasësve financiarë që shpunë drejt vetëflijimt Pal Trashajn. Atë e kupton edhe më mirë, kur shikon se një parlament, që nxiton të prodhojë ligje me procedurë të përshpejtuar për teatrin e Fushës, për portin e Alabarit apo për Zvërnecin e Kushnerit, nuk u kujtua për mbi një dekadë t’u vinte tavan kamatave marramendëse që vrisnin më të varfërit.

Këtu qëndron thelbi i skandalit të mikro kredive. Prandaj përgjegjësia nuk mund të mbetet jetime në ping pongun që bëjnë institucionet për t’ia lënë fajin njëra- tjetrës. Ajo është shumë më e thellë sesa kaq. Ajo është simptomë e një vendi ku askush nuk merakoset për më të dobtin dhe më të pafuqishmin. E një shoqërie të cilës, kapitalizmi i egër, ia ka ndryshuar fjalën e fundit të shprehjes së dikurshme: “më mirë M… sesa i vogël”.  Tani aty mund të lexosh “i varfër”.   

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME