‘Më thanë Shefiti ka vrarë veten dhe Dashurinë e shkretë’- Kryeplaku i fshatit Kuman rrëfen krimin e dyfishtë: Policia nuk ma raportoi sherrin…

Detaje të reja kanë dalë nga krimi i dyfishtë vrasje-vetëvrasje i të martës (24 mars) në Kuman të Roskovecit, ku pas një sherri në familje, Shefit Rrapaj vrau me armën pushkë bashkëshorten Dashuri Rrapaj dhe më pas qëlloi veten për vdekje.
Është kryeplaku i fshatit Kuman, Tomorr Metani, që tregon se çifti nuk kishte probleme, jetonin prej 25 vitesh në zonë pas ardhjes nga Levani i Beratit dhe nuk ishin bërë asnjëherë problematikë për ta.
Ditën e sotme (26 mars), në studion e emisionit “Me Zemër të Hapur”, në “News24”, ai dha përgjigje për disa pyetje që lidhen me dinamikën e krimit, rrethanat, personazhet dhe hetimet. Metani shtoi se edhe për sherrin e dhjetë ditëve më parë në familjen Rrapaj, Policia nuk e kishte njoftuar. Sipas tij, Shefiti nuk fliste me të motrën që jetonte po në fshat.
Mes të tjerash ai tha se:
“Nuk ishte vënë në dijeni nga policia, të konfliktit të 10 ditëve më parë mes çiftit”.
Policia dhe prokuroria po hetojnë dinamikën se si 80-vjeçari Shefit Rrapaj ka vrarë me armë zjarri bashkëshorten e tij 75-vjeçare, Dashuri Rrapaj brenda banesës, përpara se t’i japë fund jetës edhe vetë me të njëjtën armë. Çifti ishin prindër të 9 fëmijëve. Dashuria ëhstë varrosir në vendlindjen e saj nga familja e saj dhe fëmijët.
“Familja Rrapaj ka ardhur para 25 vitesh në fshatin tonë. Kanë qenë shumë të komunikueshëm, nuk kanë pasur probleme. Ata ishin nga Levani i Beratit, dhe u zhvendosën këtu te ne. Shefiti ishte normal, ishte familje e mirë, nuk ka pasur probleme. Ata nuk kanë sjellë ndonjë problem apo shqetësim. Sidomos Dashuria ishte zonjë grua. Ato gjëra kur i mora vesh dje, u habita. Lajmin e mora vesh nga një shok, që kishte kaluar me makinë. Më tha ku je? Më tha ka ndodhur një rrëmujë te shtëpia e Shefitit. Më pas mora familjen në telefon, dhe më thanë; po shohim policinë, më duket se ka vrarë veten Shefiti dhe ka vrarë Dashurinë e shkretë. Isha mbrëmë te shtëpia, djali i dajës që e ka përballë, ndan vetëm rruga, tha që; nuk dëgjuam as krisëm, asgjë! Shefiti nuk ka pasur probleme, ka qenë familjar i mirë, i respektuar. Kishte 9 fëmijë. Fëmijët ishin të rregullt, me norma. Ata kanë ikur jashtë. Djali i vogël, ishte nja 1-2 javë i kthyer nga emigrimi”, rrëfeu Metani për emisionin ditën e sotme.
Më tej ai shpjegoi se Shefiti ishte normal, madje i kishte shkuar në dyqan për të blerë vaj për motosharrën dhe nuk shfaqi asnjë problem apo shqetësim.
“Shefiti ishte njeri normal. Nuk e dija që kanë pasur incident. S’më ka marrë kush njeri në telefon. Në muhabetet e brendshme që u bë, po diskutoheshin këto gjëra. Me të vëllanë e Dashurisë që fola mbrëmë, me Enverin, ai nuk dinte gjë. Vëllai i Dashurisë tha se kishte folur 2-3 ditë më parë në telefon me të motrën. Takimi im me Shefitin ka qenë normal. Unë kam një dyqan të vogël te shtëpia. Ai erdhi mori një bidon vaji për motorsharrën. Ishte bisedë shumë normale, si gjithmonë. Në shtëpi ishin vetëm njerëzit e Dashurisë, nuk kishte asnjë nga njerëzit e Shefitit”, vijon kryeplaku.
Ai rrëfen edhe për mosmarrëveshjet e Shefitit me të motrën, pais nuk flisnin prej vitesh:
“Motra e Shefitit nuk ishte në shtëpi. Ata nuk komunikonin motër e vëlla. Që kur ka ardhur në Kuman ajo, nuk flasin. Mendoj se ka qenë e papritur”.
Kurse për krimin e kryer tha se nuk ngrihej dora ndaj 75-vjeçares, teksa ceremonia ëhstë kryer në vendlindjen e saj, në Berat.
“Nuk ngrihej dora ndaj Dashurisë. Sot ika në orën 5:00 nga shtëpia. Fëmijët kishin marrë të ëmën dhe e çuan në fshatin e saj të lindjes. E kanë marr vëllezërit e saj”, rrëfeu kryeplaku.











