Mel B zbulon pse nuk ndodhi rikthimi i Spice Girls

Melanie Brown ka deklaruar se do të ishte gati “pa u menduar dy herë” për një turne botëror me Spice Girls, nëse vendimi do të ishte vetëm i saj.
“Në një botë perfekte, ne tashmë do të ishim në turne, duke performuar në të gjithë botën,” tha Scary Spice për Page Six gjatë një eventi të Revive Collagen në Los Angeles. Kjo deklaratë vjen vetëm pak ditë pasi u raportua se ribashkimi për 30-vjetorin e grupit ishte anuluar.
“Unë jam gjithmonë ajo që them: ‘Po, po shkojmë në turne’. Do të më pëlqente shumë të riktheheshim në skenë dhe të bënim muzikë, por për momentin nuk po ndodh,” shtoi ajo.
Grupi legjendar përbëhet nga Emma Bunton, Melanie Chisholm, Geri Halliwell, Victoria Beckham dhe vetë Mel B. Ajo theksoi se ka qenë gjithmonë gati për turne që nga krijimi i grupit në vitin 1994.
“Unë nuk do të isha këtu sot pa katër vajzat e tjera. Ishte një udhëtim i çmendur i ‘girl power’,” u shpreh këngëtarja.
Deklarata e saj vjen në një moment kur fansat prisnin një ribashkim për të festuar 30-vjetorin e hitit ikonik Wannabe. Megjithatë, sipas raportimeve, anëtaret nuk arritën një marrëveshje.
Edhe Melanie Chisholm konfirmoi më herët se nuk ka plane konkrete për një ribashkim: “Po komunikojmë vazhdimisht dhe duam të bëjmë diçka, por nuk dihet kur.”
Spice Girls u shpërbënë zyrtarisht në vitin 2000, por janë rikthyer disa herë në skenë, përfshirë performancën në ceremoninë përmbyllëse të Lojërave Olimpike në Londër në 2012 dhe një turne në vitin 2019 (pa Victoria Beckham).









