Misioni i Vëzhguesve të OSBE-ODIHR në Shqipëri ka publikuar këtë të hënë raportin paraprak për zgjedhjet vendore që u zhvilluan ditën e diel. Shefja e Misionit Audrey Glover gjatë konferencës për shtyp teksa e ka konsideruar ditën e zgjedhjeve të qetë, shtoi se ka pasur ndërhyrje partiake.
“Ju falënderoj shumë me të vërtet për pjesëmarrjen tuaj këtu sot. Do të prezantojmë konkluzionet paraprake, unë jam këtu sëbashku me përfaqësuesit të Këshillit të Evropës, më lejoni të filloj.
Zgjedhjet vendore të 14 Majit në përgjithësi u administruan mjaft mirë, ishin konkurruese dhe në to morën pjesë forcat kryesore politike. Por, procesi u karakterizua nga polarizimi i vazhdueshëm midis partive kryesore politike dhe një ndarje e thellë brenda opozitës. Kandidatët bënë fushatë lirisht, por rastet e keqpërdorimit të burimeve publike, pretendimet për presion te zgjedhësit si dhe pretendimet për blerje votash ishin shqetësuese.
KQZ bëri punë transparente dhe efikase, por pati zëvendësime të shpeshta të komisionerëve. Përdorimi i shpeshtë nga mediat i filmimeve të partive në programet e lajmeve, cenoi ndarjen e kohës gjithëpërfshirëse dhe objektive të transmetimit të fushatës. Dita e zgjedhjeve ishte përgjithësisht paqësore, por pati ndërhyrje partiake, probleme teknike, votim në grup dhe probleme me fshehtësinë e votës. Numërimi i votave u vlerësua pozitivisht. Së pari dua të them disa fjalë për misionin tonë. Janë zgjedhjet e 16-ta që ODIHR vëzhgon, me 14 ekspertë nga 12 shtete, që nga krijimi ne kemi pasur sektorin tonë të monitorimit të medias, partive, ambasadave dhe OJQ-ve. Një javë pas mbërritjes na u bashkuan 24 vëzhgues afatgjatë, pak para zgjedhjeve na u bashkuan dhe disa vëzhgues afatshkurtër”, u shpreh Glover.
Ajo u pyet dhe për votimin elektronik që pati probleme në Shqipëri.
“E gjitha procedura e zgjedhjeve nuk ka përfunduar ende, jemi ende në pritje të rezultateve. Shpresa dhe qëllimi është që kudo të kemi votim elektronik, dhe në zgjedhjet e ardhshme sigurisht. Por, duhet të trajnohen njerëzit, të vihen në dispozicion pajisjet e posaçme. Në qendër të Elbasanit mesa di u zhvillua në kohë, në vende të tjera pati probleme.”
Sipas Steward Dickson problematikat që janë ndeshur në këtë zgjedhje, kanë qenë mungesa e debateve të vërteta mes kandidatëve, programet politike dhe mungesa e përfaqësimit të femrave si kandidate.
“Ditë zgjedhjesh e qetë dhe transparente. Mbështetur në përvojën si vëzhgues, ekzistojnë disa shqetësime lidhur me Shqipërinë: Përfaqësimin e ulët të femrave si kandidate dhe një mungesë aksesueshmërie në qendrat e votimit për zgjedhësit me aftësi të kufizuara. Të gjitha këto kanë sjellë probleme të tjera dhe herë pas here kanë cënuar procesin e zgjedhjeve. Të adresohen si prioritetet. Na erdhi keq që disa çështje me interes zgjedhor u lanë në hije si rezultat i një fushate të polarizuar. Zgjedhjet vendore duhet të jenë një mjet për njerëzit që ata të vendosin se për kë duhet të votojnë. Ne jemi të shqetësuar se në fakt munguan debatet e vërteta dhe programet politike vendore. Delegacioni jonë inkurajon autoritetet lidhur me kandidatët e pavarur. Ne do të përgatisim disa rekomandime që do të paraqiten për miratim në sesionin e Stasburgut në Tetor.”