AKTUALITETTOP-NEWS

“Na ktheni tokat!” – Protestë e fortë në Boçovë kundër ndërtimit të paneleve diellore

Levan – Dhjetëra banorë të njësisë administrative Levan janë mbledhur sërish këtë të shtunë në fshatin Boçovë, duke vijuar protestat kundër ndërtimit të paneleve diellore në tokat e tyre bujqësore. Sipas tyre, këto prona po shfrytëzohen në mënyrë të paligjshme nga kompania “Bervi Construction”, pa pëlqimin e pronarëve legjitimë dhe pa transparencë institucionale.

Me pankarta në duar dhe thirrje të forta, protestuesit kërkuan njëzëri rikthimin e menjëhershëm të tokave, duke theksuar se bujqësia është burimi i vetëm i jetesës për familjet e tyre. Ata shprehen se nuk janë kundër projekteve të energjisë së rinovueshme, por kundër mënyrës se si po cenohen të drejtat e pronësisë dhe po shkatërrohet toka e bukës.

“Nga këto toka jetojmë. Na i kanë dhënë me dokumente të rregullta dhe sot po na i marrin pa asnjë sqarim”, deklarojnë fermerët, duke e cilësuar situatën si një grabitje të hapur pronash me bekim institucional.

Në një deklaratë për mediat, fermeri Sandër Mujo i bëri thirrje Prokurorisë së Fierit që të nisë sa më shpejt hetimet për këtë çështje, e cila sipas tij përmban shkelje të rënda ligjore. Apeli i protestuesve iu drejtua gjithashtu edhe kreut të ri të SPAK, Klodian Braho, për ndërhyrje të menjëhershme dhe zbardhje të plotë të këtij rasti.

“Dokumentet janë të qarta, tokat janë tonat dhe janë dhënë nga shteti me AMTP të rregullt. Sot figurojnë në emër të një kompanie private dhe askush nuk mban përgjegjësi”, u shpreh Mujo.

Protestës nuk iu bashkuan vetëm përfaqësuesit e 14 familjeve të cilave u janë marrë tokat, por edhe banorë nga fshatra të tjerë të njësisë administrative Levan. Ata e konsiderojnë këtë zonë si një nga më problematiket në vend për çështjet e pronësisë, duke pohuar se prej dekadash janë përballur me korrupsion, zvarritje gjyqësore dhe vendime të padrejta.

Sipas banorëve, prej më shumë se një viti, prona e 14 familjeve figuron zyrtarisht në emër të kompanisë “Bervi Construction”, ndërkohë që këto toka janë përfituar ligjërisht nga fermerët me AMTP. Ata pretendojnë se ndryshimi i pronësisë është bërë pa dijeninë e tyre dhe në kundërshtim me ligjin.

Banorët paralajmërojnë se, nëse institucionet përgjegjëse do të vijojnë të heshtin dhe të mos japin zgjidhje, protestat do të përshkallëzohen. Madje, ata shprehen se situata mund të çojë drejt tensioneve sociale dhe akteve të vetëgjyqësisë.

“Ne nuk do të tërhiqemi. Kjo është toka jonë dhe nuk do ta lejojmë të na rrëmbehet padrejtësisht”, deklarojnë protestuesit, duke paralajmëruar vijimësi të protestave deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button