AKTUALITETEKONOMI

Nafta shtrenjtohet, fermerët e zonës Seman përgjysmojnë sipërfaqet e mbjella

Fier – Rritja e çmimit të naftës po jep një goditje të fortë dhe të drejtpërdrejtë në bujqësinë e zonës së Semanit, duke detyruar fermerët të ulin ndjeshëm sipërfaqet e mbjella pikërisht në një nga periudhat më të rëndësishme të vitit – fillimin e pranverës. Në vend që të intensifikohen punimet dhe të shtohen investimet në tokë, situata në terren paraqitet krejt ndryshe: shumë parcela po mbeten të papunuara.

Sipas fermerëve, kostoja e lartë e karburantit, që ka arritur në rreth 220 lekë për litër, po e bën gjithnjë e më të papërballueshme kryerjen e proceseve bazë bujqësore, si plugimi, frezimi, mbjellja dhe transporti. Ata theksojnë se çdo ndërhyrje në tokë tashmë ka një kosto shumë më të lartë se vitet e mëparshme, çka i detyron të reduktojnë sipërfaqet për të shmangur humbjet financiare.

Por nafta nuk është i vetmi problem. Fermerët shprehen se edhe rritja e çmimeve të pesticideve, farërave dhe inputeve të tjera bujqësore ka rënduar ndjeshëm situatën. Sipas tyre, zinxhiri i kostove është rritur në mënyrë të tillë që prodhimi bujqësor po bëhet gjithnjë e më pak fitimprurës.

“Nga 40 hektarë që kisha planifikuar të mbillja këtë sezon, kam mbjellë vetëm 20 hektarë. Nuk përballohet më,” shprehet një fermer i zonës, duke reflektuar shqetësimin e shumë të tjerëve që ndodhen në të njëjtën situatë.

E njëjta tablo paraqitet edhe në fshatrat përreth si Seman, Topojë, Grykë dhe Sektor Seman, ku fermerët po përballen me vështirësi të shumta ekonomike. Banorët kërkojnë më shumë mbështetje nga shteti, duke theksuar se mungesa e të ardhurave dhe pensionet e ulëta i detyrojnë shumë prej tyre të heqin dorë nga punimi i tokës, edhe pse ajo mbetet burimi kryesor i jetesës për familjet rurale.

Ata apelojnë për politika konkrete mbështetëse në bujqësi, si subvencione për naftën, ulje të taksave për inputet bujqësore dhe krijimin e skemave lehtësuese për fermerët. Sipas tyre, pa një ndërhyrje të menjëhershme, rrezikohet jo vetëm prodhimi i këtij sezoni, por edhe e ardhmja e bujqësisë në këtë zonë.

Në një kohë kur pritej që pranvera të sillte gjallërim në bujqësi dhe rritje të sipërfaqeve të kultivuara, realiteti në terren është alarmues: toka po lihet djerrë dhe prodhimi vendas po vihet në pikëpyetje. Kjo situatë ngre shqetësime serioze për sigurinë ushqimore dhe ekonominë e zonave rurale, duke kërkuar vëmendje dhe reagim të menjëhershëm institucional./ALB465/ Xhemil Beharaj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button