Çmimet e naftës kanë shënuar një tjetër rënie gjatë fundjavës. Sipas një vëzhgimi në pikat e karburanteve në vend, nafta po tregtohet me 5 lekë më pak për litër sesa më parë.
Në pikat e tregtimit të Kastrati, më i madhi në vend si për shumicën, ashtu dhe pakicën, nafta po tregtohet me 179 lekë për litër, nga 184 lekë për litër që ishte më parë. Eida petroleum e tregton karburantin me 177 lekë/litër.
Në të njëjtat nivele është dhe Gega Oil, ndërsa Bolv Oil ka çmim 175-177 lekë.
Kjo është hera e dytë që çmimet ndryshojnë këtë vit. Në maj karburanti kishte shënuar një ulje prej 5 lekë për litër.
Tendenca ulëse ka filluar që në nëntor-dhjetor të vitit të kalua, kur nafta shënoi dy ulje të njëpasnjëshme me rreth 10 lekë për litër.
Kjo ishte hera e parë që çmimet e karburanteve kishin tendencë uljeje në vend, që nga muaji maj 2023, kur çmimet ishin rritur disa herë radhazi, nga niveli më i ulët në mëse një vit prej rreth 170 lekësh, që u arrit në maj 2023.
Rënia e çmimeve të karburanteve në vend lidhet me luhatjet e saj në tregjet ndërkombëtare, ku një fuçi zbriti deri në 75 dollar në fillim të gushtit nga 88 dollarë për fuçi që ishte në korrik, duke reflektuar shqetësimet për një ngadalësim të ekonomisë globale, si rrjedhojë e të dhënave të dobëta të punësimit në SHBA-a, që u pasua nga një rënie e fortë e bursave në mbarë botën. /monitor