BOTA

Negociatat në Berlin/ Ukraina heq dorë nga anëtarësimi në NATO

Ëndrra e anëtarësimit të Ukrainës në NATO duket se po venitet, teksa Volodymyr Zelensky, i cili ndodhet në Berlin për negociata si me delegacionin amerikan ashtu edhe me evropianët në një takim dyditor që mund të përcaktojë zhvillimet në Ukrainë, duket se po i thotë lamtumirë kësaj ëndrre.

I dërguari special i Presidentit të SHBA-së Donald Trump, Steve Witkoff, tha se “u bë përparim i konsiderueshëm” në bisedimet e sotme në Berlin midis zyrtarëve të lartë amerikanë dhe ukrainas mbi përpjekjet për t’i dhënë fund luftës me Rusinë. Në takimin midis delegacioneve amerikane dhe ukrainase morën pjesë Witkov, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe Jared Kushner, dhëndri i Trump.

“Përfaqësuesit zhvilluan diskutime të thella… u bë shumë përparim dhe ata do të takohen përsëri nesër në mëngjes”, – theksoi Witkoff në një postim në X.

Pas 5 orësh diskutimesh me “të zgjedhurit” e Donald Trump, Steven Witkoff dhe Jared Kushner, presidenti ukrainas pret takimin e nesërm me kancelarin Friedrich Merz dhe Macron dhe Starmer, si dhe udhëheqës nga vende të tjera evropiane dhe vende të NATO-s, në mënyrë që të dilet me një përfundim në lidhje me atë që “do të ndodhë”.

“Ata vijuan më shumë se 5 orë dhe e mbyllën për sot me një marrëveshje për të rifilluar nesër në mëngjes”, – u tha këshilltari Dmytro Lytvyn gazetarëve nëpërmjet WhatsApp. Lytvyn shtoi se Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të flasë për bisedimet të hënën, pasi ato të kenë përfunduar. Ai tha se zyrtarët po shqyrtonin draftet e dokumenteve përkatëse.

Nesër, Zelensky, së bashku me Kancelarin gjerman Friedrich Merz, do të marrin pjesë në një konferencë ekonomike gjermano-ukrainase. Kancelari Merz ka ftuar gjithashtu 12 krerë shtetesh dhe qeverish evropiane, si dhe udhëheqësit e BE-së dhe NATO-s. Në takim, evropianët synojnë të riafirmojnë solidaritetin e tyre me Ukrainën, pavarësisht nga kontaktet e vazhdueshme SHBA-Rusi.

“Kievi është qendra e njerëzve të guximshëm. Berlini do të bëhet kryeqyteti i diplomacisë në ditët në vijim”, – shkroi ambasadori i Ukrainës në Gjermani, Oleksiy Makeyev.
“Pjesëmarrja e Vytkov në bisedime është një shenjë e qartë se mund të arrihet përparim”, – vlerësojnë diplomatët evropianë.

Por a është vërtet kështu? Sipas asaj që tha Zelensky para udhëtimit të tij në Berlin, pala ukrainase tani është gati të pranojë mosanëtarësimin e vendit në NATO, duke humbur një… përqafim të sigurt, por duke kërkuar në këmbim garanci se siguria e Ukrainës nuk do të kërcënohet më nga Rusia dhe Vladimir Putin, i cili tani ndihet i sigurt se ka dorën e sipërme në këtë çështje, pas planit 28-pikësh të Donald Trump për të sjellë një armëpushim midis Ukrainës dhe Rusisë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se ishte gati të hiqte dorë nga kërkesat për anëtarësim në NATO në këmbim të garancive të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa, në një veprim që synonte avancimin e bisedimeve të paqes në Berlin.

I dërguari special i Presidentit të SHBA-së Donald Trump, Steve Witkoff, dhe dhëndri i tij, Jared Kushner, i bënë presion Ukrainës që të pranonte lëshime të dhimbshme, duke përfshirë heqjen dorë nga territori i vijës së frontit ndaj Rusisë, përpara bisedimeve me Zelenskyn dhe aleatët evropianë të Ukrainës mbi planin e Shtëpisë së Bardhë për t’i dhënë fund pushtimit rus, raportoi Financial Times.

Ukraina ka pranuar se nuk ka gjasa të bashkohet me NATO-n në të ardhmen e afërt për shkak të kundërshtimit të fortë nga Rusia, e cila prej kohësh ka kërkuar që aleanca transatlantike të angazhohet për të ndaluar zgjerimin e saj drejt lindjes si kusht për t’i dhënë fund luftës.

Megjithatë, Zelensky u tha gazetarëve se Ukraina ende ka nevojë për garanci sigurie nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa, të ngjashme me klauzolën 5 të NATO-s për mbrojtje të ndërsjellë për çdo anëtar nën sulm.

“Po flasim për garanci dypalëshe sigurie midis Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara – domethënë, garanci të tipit Neni 5 … si dhe garanci sigurie për ne nga partnerët tanë evropianë dhe nga vende të tjera si Kanadaja, Japonia dhe të tjera”, – u tha Zelensky gazetarëve në një bisedë në WhatsApp. “Dhe ky është tashmë një kompromis nga ana jonë.”

Zelensky tha se Ukraina ende nuk ka marrë një përgjigje nga Uashingtoni për propozimet e rishikuara të dërguara më parë këtë javë nga Kievi pas konsultimeve me udhëheqësit evropianë.

“Plani sigurisht nuk do të jetë diçka që të gjithëve u pëlqen. Ka shumë kompromise në një version apo në një tjetër të planit”, tha ai.

Rusia ka thënë se ka të ngjarë të refuzojë të gjitha propozimet nga Ukraina dhe Evropa, duke hedhur dyshime nëse përpjekja e Trump për t’i dhënë fund luftës gati 4-vjeçare mund të ketë sukses.

Yuri Ushakov, këshilltari i politikës së jashtme i Putinit, tha se çdo propozim nga Ukraina dhe Evropa mbi planin “nuk ka gjasa të jetë konstruktiv” dhe se Rusia do të kishte “kundërshtime të forta” nëse Shtetet e Bashkuara do t’i miratonin ato. “Nuk është se do të ketë diçka të mirë atje”, tha Ushakov në komentet e transmetuara në televizionin shtetëror të dielën.

Të dyja palët duket se e hodhën poshtë propozimin e Trump për të tërhequr të gjitha trupat nga rajoni i Donbasit për të krijuar një “zonë të lirë ekonomike” në pjesën e Ukrainës lindore që tani kontrollohen nga Kievi. Propozimi do të kërkonte që Ukraina të tërhiqej nga “zona e fortesës” e qyteteve që forcat e Moskës nuk kanë arritur t’i kapin në më shumë se 11 vjet luftë.

Nga ana e tij, Zelensky tha se “nuk e konsideron të drejtë”. “Nëse trupat ukrainase tërhiqen 5 deri në 10 kilometra, për shembull, atëherë pse trupat ruse nuk tërhiqen më thellë në territoret e pushtuara me të njëjtën distancë?” pyeti ai. “Kjo është një pyetje që ende nuk ka përgjigje, por është jashtëzakonisht e ndjeshme dhe shumë e nxehtë.”

Zelensky tha se “e vetmja mundësi e drejtë dhe e mundshme” për një paqe të vërtetë është që “palët të ndalen aty ku janë dhe pastaj të përpiqen të zgjidhin të gjitha çështjet më të gjera përmes diplomacisë”. “Ne qëndrojmë aty ku qëndrojmë”, shtoi ai. “Ky është pikërisht një armëpushim”.

Ushakov gjithashtu dukej se kundërshtonte planin e zonës së demilitarizuar, duke thënë këtë javë se Rusia do të pranonte vetëm kontrollin e plotë të Donbasit. “Rusia,” shtoi ai, “nuk ka diskutuar me Shtetet e Bashkuara një skenar “Kore Jug – Veri”, i cili mund të përfshijë “ngrirjen” e vijës aktuale të frontit”.

Në të njëjtën kohë, pala ruse hodhi poshtë gjithashtu sugjerimet e mëparshme të Zelensky se Ukraina mund të rifitonte kontrollin e Krimesë, të cilën Putini e aneksoi në vitin 2014, ose të bashkohej me NATO-n. Të dy propozimet “nuk do të ndodhin as 1 në 1 milion”, tha Ushakov.

Në të njëjtën kohë, presioni mbi Zelensky po intensifikohet pas sulmit të fundit ajror rus që ka lënë mijëra familje në Ukrainë pa energji elektrike. “Mijëra ukrainas mbeten pa energji elektrike sot pas sulmeve ruse në infrastrukturën energjetike”, tha ai, duke postuar foto të ndërtesave të djegura ose të shkatërruara.

“Rusia po e zgjat luftën dhe po kërkon t’i shkaktojë sa më shumë dëme të jetë e mundur popullit tonë”, tha ai. “Në total, rusët lëshuan më shumë se 1,500 dronë, pothuajse 900 bomba ajrore të drejtuara dhe 46 raketa të llojeve të ndryshme kundër Ukrainës këtë javë”, shtoi Zelensky

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button