Kontinenti evropian ka lënë pas temperaturat ekstreme dhe të nxehtin përvëlues për t’i hapur rrugë reshjeve të shiut, të cilat kanë nisur të shkaktojnë dëme në disa shtete.
Rumania ka ngritur kampe zhvendosjeje dhe ka nisur operacionet e shpëtimit pasi përmbytjet vranë të paktën katër persona dhe shkatërruan mijëra shtëpi në lindje të vendit. Varkat dhe aeroplanët ushtarakë po përdoren për të lëvizur njerëzit në vende të sigurta dhe kryeministri Marcel Ciolacu ka thënë se prioriteti tani është parandalimi i humbjeve të mëtejshme të jetëve.
Ditët e fundit kanë parë shira të rrëmbyeshëm që kanë përfshirë Evropën qendrore dhe lindore, duke fryrë lumenj dhe duke shkaktuar paralajmërime për përmbytje në Republikën Çeke, Poloni, Austri, Sllovaki dhe Hungari. Barrierat nga përmbytjet në kryeqytetin çek Pragë janë ngritur, ndërsa në disa pjesë të Polonisë banorët janë evakuuar.
Katër personat e vdekur u gjetën në rajonin juglindor rumun të Galatit gjatë një operacioni kërkimi dhe shpëtimi, konfirmuan shërbimet e urgjencës për agjencinë e lajmeve AFP. “Dhjetëra njerëz u shpëtuan nga shtëpitë e tyre në 19 zona të vendit”, shtuan ata.
Në Poloni , ministri i brendshëm Tomasz Siemoniak tha se kishte një “situatë të vështirë” në zonat përreth katër lumenjve. Në jugperëndim, lumi Biala ka tejkaluar nivelet e sigurta me dy metra, dhe ka shqetësim të veçantë për qytetet e afërta Morow dhe Glucholazy.
Në Republikën Çeke , alarmi më i lartë për përmbytjet ishte shpallur në 38 vende të ndryshme. Në Pragë, barrierat nga përmbytjet janë ngritur, argjinaturat janë mbyllur për publikun dhe kopshti zoologjik është mbyllur. Të premten në mëngjes, një portë prej çeliku një metër e trashë u përdor për të mbyllur të ashtuquajturin Kanali i Djallit ose Certovka, i cili kalon nëpër qytet.
Në Austri, për të cilën zyrtarët thonë se përjetoi gushtin më të nxehtë që nga fillimi i regjistrimeve të temperaturave, shumë rajone presin 10-20 cm shi brenda pak ditësh. Në pjesë të veriut parashikohet mbi 20 cm. Qendra e paralajmërimit të stuhisë UWZ tha se disa pjesë do të shohin rekorde të mëparshme për të gjithë muajin shtator “të tejkaluar në vetëm pak ditë”.
Reshje të dendura të vazhdueshme priten edhe përtej kufirit në shtetin gjerman të Bavarisë. Reshjet ekstreme po bëhen më të mundshme në Evropë, si në pjesën më të madhe të botës, për shkak të ndryshimeve klimatike.