Nga Venezuela në Uells: 10 ujëvara që duhet t’i shihni të paktën një herë në jetë

Ujëvarat kanë gjithmonë një tërheqje të veçantë për udhëtarët. Ato janë spektakolare, të fuqishme dhe mbresëlënëse, duke ofruar pamje natyrore të paharrueshme dhe fotografi të jashtëzakonshme. Edhe pse ujëvarat me sasinë më të madhe të ujit nuk janë gjithmonë më të bukurat për syrin, ato më të lartat dhe më të gjerat zakonisht kryesojnë listat e dëshirave. Nga xhunglat e dendura deri te peizazhet e akullta vullkanike, këto janë dhjetë ujëvara ndër më të jashtëzakonshmet në botë.
1. Ujëvara Angel, Venezuelë

Ujëvara Angel është ujëvara më e lartë e pandërprerë në botë, me një rënie prej 807 metrash, nga mali Auyán-tepui në Parkun Kombëtar Canaima. E rrethuar nga xhungël e largët, ajo është po aq madhështore sa edhe e vështirë për t’u arritur. Vizitorët duhet të udhëtojnë me avion të vogël dhe me varka lumenjsh, përpara një ecjeje në pyll. Ky peizazh frymëzoi romanin Bota e Humbur të Arthur Conan Doyle. Aktualisht udhëtimi në Venezuelë nuk rekomandohet, por ujëvara mbetet një mrekulli natyrore e pakrahasueshme.
2. Ujëvara Victoria, Zambia/Zimbabve

Një nga mrekullitë natyrore më të famshme të Afrikës, Ujëvara Victoria ndodhet në kufirin mes Zambias dhe Zimbabves. E njohur nga vendasit si “tymi që bubullon”, ajo shtrihet mbi një kilometër gjerësi dhe krijon re mjegulle që shihen nga kilometra larg. Edhe pse nuk është më e larta, sasia e ujit dhe zhurma e saj e bëjnë vërtet spektakolare. Zona është lehtësisht e aksesueshme dhe ofron shumë aktivitete turistike.

3. Ujëvara Bowen, Zelanda e Re

E vendosur në Milford Sound, një nga zonat më të lagështa të Zelandës së Re, Ujëvara Bowen bie nga një lartësi prej 162 metrash. Ajo duket më madhështore pas reshjeve të shumta dhe mund të shihet nga varka, kajakë, shëtitje të shkurtra ose fluturime panoramike. Është një nga dy ujëvarat e përhershme të këtij rajoni mahnitës.
4. Parku Kombëtar i Liqeneve të Plitvicës, Kroaci

Ky park, i mbrojtur nga UNESCO, është i famshëm për liqenet e tij ngjyrë të bruztë, të lidhura nga mbi 90 ujëvara dhe rrjedha uji. Për mijëra vite, proceset natyrore kanë krijuar diga gëlqerore, duke formuar liqene, shpella dhe ujëvara që vazhdojnë të ndryshojnë edhe sot. Shtigjet prej druri u lejojnë vizitorëve të shijojnë nga afër këtë bukuri natyrore.
5. Ujëvarat Iguazú, Argjentinë/Brazil

Të përbëra nga rreth 275 ujëvara, Iguazú shtrihen pothuajse dy kilometra dhe janë ndër sistemet më mbresëlënëse të ujëvarave në botë. Ato ndodhen mes pyjeve tropikale dhe ndahen mes Argjentinës dhe Brazilit. Pjesa më dramatike, Gryka e Djallit, hedh sasi të mëdha uji në një humnerë të thellë, duke krijuar mjegull dhe zhurmë të fuqishme.
6. Ujëvarat e Niagarës, Kanada/SHBA

Ujëvarat e Niagarësjanë ndër më të fuqishmet në botë, me rreth 2400 metra kub ujë në sekondë që bien gjatë periudhave të pikut. Ujëvara Horseshoe, në anën kanadeze, ka një lartësi rreth 57 metra. Vizitorët mund t’i përjetojnë nga afër përmes shëtitjeve me varkë dhe platformave panoramike.
7. Ujëvara Kaieteur, Guajana

Ujëvara Kaieteur është ujëvara më e madhe në botë për nga vëllimi i ujit në një rënie të vetme. Lumi Potaro bie nga një lartësi prej rreth 226 metrash, me një prurje mesatare shumë të lartë. Vendndodhja e saj e largët, në mes të pyllit tropikal, e bën këtë ujëvarë një mrekulli të rrallë dhe të paprekur.
8. Nong Khiaw, Laos

Nong Khiaw njihet për “100 ujëvarat” e tij, një zonë trekkingu në veri të Laosit me dhjetëra rrjedha uji dhe ujëvara të vogla. Zona ofron ecje në natyrë përmes pyjeve, fushave të orizit dhe shtigjeve malore. Në disa pellgje natyrore lejohet edhe noti, duke e bërë përvojën të plotë dhe aventureske.
9. Ujëvara Gullfoss, Islandë

Një nga ndalesat kryesore të itinerarit Golden Circle, Gullfoss është një ujëvarë me dy nivele që bie nga një lartësi totale prej rreth 32 metrash në një kanion të thellë. Ajo ushqehet nga lumi akullnajor Hvítá dhe ofron pamje spektakolare gjatë gjithë vitit, sidomos në dimër kur ngrin pjesërisht.
10. Ujëvara Swallow, Uells

E njohur edhe si Rhaeadr Ewynnol, Ujëvara Swallow është një seri kaskadash përgjatë lumit Llugwy, pranë Betws-y-Coed. Edhe pse më e vogël se të tjerat në listë, ajo është shumë e dashur për vizitorët falë bukurisë natyrore, pyllit përreth dhe aksesit të lehtë gjatë gjithë vitit. / The Telegraph –











