Një media informative më pak. Pse kemi arritur në këtë gjëndje?!

Nga Ola Xama – Nëse doni të kuptoni se përse kemi arritur në këtë gjendje lirie si shoqëri, mjafton të shihni debatin shterpë që ka nisur mbi mbylljen e televizionit News 24.
Në vend të flitet se në Shqipëri kemi një media (me qëllim të dedikuar informativ) më pak – duke rezultuar në më pak burime informimi për qytetarin, diskutimi po kanalizohet në sulm individual ndaj pronarit të medias, përdorimit të saj për interesa të bizneseve personale, zaptimit nga televizioni e një prone që është e publikut apo raportit të medias në respektimin e të drejtave të gazetarëve.
Më të devotshmit, të cilët pranojnë me modesti rolin e gjykatësit publik, e kanë çuar çështjen dhe më thellë. Kanë marrë në analizë cilësinë e produktit që është transmetuar në këtë kanal për vite me radhë dhe na thonë që informacioni i dhënë ka qënë i anshëm dhe i ndikuar nga interesat ekonomikë.
Një pjesë e mirë e atyre që bëjnë këtë analizë harrojnë një nga kriteret kryesore të metodologjisë së arsyetimit në literaturën moderne: kontekstin. Jetojmë në një sistem kapitalist të bazuar në ekonominë e tregut. Është utopi të mendosh që një individ e sidomos një entitet, mund të mbijetojnë nëse le mënjanë interesat ekonomikë. Po të hysh e të kërkosh në pjesën më të madhe të mediave private në vendet perëndimore- do të gjesh pafund konflikte të etikës së raportimit për shkak të interesave që ka korporata që e zotëron.
Në Shqipëri ne kemi probleme të tjera dhe ato që shkelin etikën janë më të voglat. Në Shqipëri mediat shkelin standardet e raportimit! Çensurojnë, nuk raportojnë fare, mbajnë anë, transmetojnë materiale të gatshme që vijnë nga zyra e shtypit pa i bërë fact-checking informacionit të servirur – dhe madje kemi raste ku qëllimisht është publikuar material i rremë për shkak të interesave të pronarit. Në këtë tablo të gjitha televizionet mund të quhen mëkatare, dhe News 24 nuk renditet i pari.
News 24 gjithashtu nuk është televizioni i vetëm që ka ambientet në godinë shtetërore. TV Klan, ABC News, Tv Scan dhe Ora News janë të vendosur në ambientet e ish-Kinostudios, një pjesë e të cilës është ende pronë publike e një pjesë është privatizuar me çmime qesharake duke shfrytëzuar një hapësirë ligjore që i lejon qiradhënësit të marrë me çmim reference pronësinë nëse investimi privat kalon vlerën. A është mbrojtur këtu interesi publik? Aspak. Interesi publik mbrohet duke i qëndruar rigoroz ligjit për administrimin e pronës publike, që njeh si procedurën më efiçente zhvillimin e ankandit në momentin që merret vendimi për ta privatizuar. Të tjerat janë shpikje për të justifikuar favorizimet që pushteti i ka bërë rrethit të tij në dëm të publikes.
I ngjashëm është rasti i godinës që është vendosur televizioni Report Tv, ku toka është dhënë me qira 1 euro apo vendime të tjera që kanë falur prona në bregdet për pronarët e televizioneve. Së fundi Komiteti i Investimeve Strategjike ka shpallur projekt me status “special” një kullë në kryeqytet dhe pse kompania nuk ka lidhur ende marrëveshje me pronarët e tokës, e këta të fundit janë vënë nën presion për shkak të këtij vendimi. Aksionere në këtë projekt është një nga pronaret e Top Chanel.
Shtrimi për debat i respektimit të të drejtave të gazetarëve në përputhje me Kodin e Punës është i drejtë, por sot nuk ishte dita për të ngritur këtë shqetësim. Madje paradoksalisht ata që po dënojnë vonesat në paga e sigurime të gazetarëve, po bien dakord me vendimin e qeverisë për t’i lënë të papunë.
Ndaj kush po e kanalizon sot mbylljen e News 24 në një çështje personalo-morale të pronarit të saj, po justifikon mungesën e një alternative informimi për publikun sepse shteti në Shqipërinë e vitit 2025 rrethoi me polici godinën një televizioni dhe i ndërpreu sinjalin.
P.S.
Në leksionet e para të gazetarisë, studentëve i mësohet se nuk ka të vërtetë absolute, se raportimi ka standarde- por nuk ka media pa politikë editoriale, e se publiku ia del të marrë informacion të paanshëm kur ka qasje informimi në shumë burime mediatike!









