Nga Ervin Resuli – Refuzoni mesazhet e turpit.❌️❌️ Për kolegët e nderuar veterinerë.
Disa nga ju kanë shprehur shqetësime të drejta lidhur me detyra që nuk lidhen me profesionin fisnik të Mjekut Veterinar. Çdo përpjekje për t’ju detyruar të kryeni punë që nuk kanë lidhje me funksionin tuaj primar si Mjek Veterinar është abuzim mbi ju. Detyrimi për të hapur profile në Facebook, Instagram apo rrjete të tjera sociale, ose urdhrat për të bërë “like” dhe “share” lajme të ministrave, drejtorëve apo të tjerëve, bien ndesh me parimet e betimit tonë profesional.
Ne nuk jemi përfaqësues të partive dhe nuk kemi për qëllim t’i shërbejmë apo të mbështesim ministrat apo drejtorët me anë të aktiviteteve tona në rrjetet sociale. Profesioni ynë është i qartë në objektivat për përmbushjen e ligjit: “Mjeku human shpëton njeriun, mjeku veterinar shpëton njerëzimin”. Çdo përpjekje për të shkelur betimin dhe kodin e etikës të Mjekut Veterinar meriton përçmim dhe përbuzje.
Të nderuar kolegë, duhet të jeni krenarë dhe të mbani dinjitetin për t’ju bërë ballë kërkesave absurde dhe të pajustifikueshme që kërkojnë “anadollakët”. Ne jemi Mjekë Veterinarë dhe dinjitetin tonë e mbrojmë vetë. Ju nxis të raportoni çdo rast abuzimi pranë Urdhrit të Mjekut Veterinar për të çuar në vend dinjitetin e profesionit tonë.
Me respekt,
Ervin RESULI
Urdhri Mjekut Veterinar