Nga Edmond Hoxhaj – Dy kandidatët e opozitës për Bashkinë e Fierit akuzojnë rivalin e tyre socialist për përdorimin e administratës dhe të burimeve publike në fushatën e tij zgjedhore, pretendime ndaj të cilave kryetari aktual, Armando Subashi, nuk ktheu përgjigje.
Bashkia e Fierit, e gjashta më e madhja në vend, nuk ka një atmosferë të dukshme zgjedhore, ndonëse e ndajnë pak ditë nga votimi për të zgjedhur kryebashkiakun e ri.
Bashkia e Fierit numëron rreth 167 mijë votues, por duket ‘mision i pamundur’ të gjesh dikë që të flasë për zgjedhjet, duke u identifikuar me emrin e tij.
“Nëse do të flas me emër, atëherë nesër më vijnë tatimet këtu e më gjobisin. Ç’më duhet. Për zgjedhjet? Nuk më intereson, kam punën time këtu,” thotë një tregtar.
Në një tjetër dyqan ku shiten artikuj industrialë, pronari ankohet se po i mbetet malli stok.
“As në kohën e pandemisë nuk ishte kaq keq. Kemi bërë shitje atëherë. Kanë ikur njerëzit dhe nuk kanë më interes të blejnë, se nuk kanë mundësi financiare,” shton ai.
Politikën e cilëson si zhgënjimin me të madh të qytetarëve gjatë këtyre 30 viteve dhe thotë se nuk do të votojë më 14 maj.
“Më erdhi një zonjë dhe më kërkoi votën. Vetëm se ishte zonjë, por do ta kisha sharë. Për çfarë duhet të vijë tek unë? Unë nuk do të votoj se nuk kam asnjë arsye,” theksoi tregtari në kushtet e anonimatit.
Ish-deputeti i Partisë Socialiste për Fierin, Nazmir Bilani i jep një shpjegim refuzimit të qytetarëve të Fierit për të folur me emër.
“E kuptoj se shumë qytetarë i shmangen për shumë arsye, por kryesorja është se pushteti është i lidhur me botën e krimit,” tha ai përmes një bisede telefonike me BIRN
Për postin e kryetarit të Bashkisë Fier garojnë tre kandidatë; Armando Subashi kërkon mandatin e tretë përballë Eriselda Zotaj Çelaj për Partinë Demokratike dhe Evdar Kodhelit për koalicionin “Bashkë Fitojmë”. Të dy kandidatët e opozitës janë ekspertë në fushën e kontabilitetit.
Kandidatët e opozitës e akuzojnë Subashin se po përdor administratën dhe burimet e institucioneve publike në favor të fushatës së tij elektorale. Ata ankohen gjithashtu se qytetarët e Fierit janë të trysnuar për votën.
“Më vjen vërtet shumë keq që qytetarët fierakë në 2023-in janë aq shumë nën presion sa nuk kanë qenë para viteve ’90. Dikush i ruan nga pas. Patronazhisti bën rolin e vetë. Dikujt i kërkojnë kartën e identitetit që nuk e di me çfarë të drejte ia marrin kartën e identitetit fizikisht një qytetari, kur është në kundërshtim me ligjin,” tha kandidatja e PD-së zyrtare, Eriselda Zotaj Çelaj.
“Në qoftë se ata do ishin komodë dhe nëse qytetarët fierakë e vlerësojë punën që kanë bërë, përse do t’i bënin këto shantazhe,” shton ajo, ndërsa thekson se disa denoncime nga qytetarët i ka referuar pranë misionit të OSBE/ODIHR.
Ngjashëm ngre petendime edhe kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Evdar Kodheli. Ai akuzon për investime elektorale nga ana e Subashit, ndërkohë që ngre dyshime për burimet e financimit.
“Kur nuk jepet informacion zyrtar se me çfarë lekësh bëhen këto investime, atëherë lindin dyshime se mund të jenë lekët e vetë kryetarit apo të krimit,” tha Kodheli dhe shtoi se për të favorizuar kandidatin socialist janë lidhur kontrata punësimi proviziore, si në sektorin e shërbimeve, ashtu dhe në administratë.
Sipas Çelajt dhe Kodhelit, punonjësve të administratës u janë shpërndarë formularë ku u kërkohet që të shënojnë 10 emra votuesisht pro PS-së dhe kandidatit të saj.
Kandidati Armando Subashi nuk ishte i disponueshëm për të zhvilluar një intervistë, si dhe nuk iu përgjigj deri në publikimin e këtij shkrimi pyetjeve për koment që BIRN i drejtoi lidhur me akuzat e ngritura ndaj tij dhe fushatës që drejton.
Çelaj dhe Kodheli evidentuan probleme në gjithë punët e kryera nga rivali i tyre gjatë dy mandateve të mëparshme, si dhe për infrastrukturën.
Kandidatja Çelaj premtoi se nëse do të zgjidhet në krye të bashkisë do të jenë pranë qytetarëve, se do të investojnë në infrastrukturën urbane; në atë rrugore; në infrastrukturën e bujqësisë; si dhe për turizmin.
Edhe Kodheli deklaroi se nëse do të jetë ai kryetari i ardhshëm i Bashkisë Fier, ky institucion do të jetë me dyer të hapura për qytetarët. Ai tha se do të investojë në infrastrukturën urbane; se do të mundësojë ujë të pijshëm për të gjitha njësitë administrative; se do të sigurojnë transport falas për fëmijët e shkollave, për invalidët e pensionistët; si dhe se do të hapin dy qendra të reja për fëmijët me aftësi ndryshe.
Ngjashëm me dy kandidatët e opozitës, edhe Bilani vëren se gara është e pabarabartë.
“Është e pabarabartë dhe për faktin se numri i nëpunësve është totalisht në favor të pushtetit. Po përdoret administrata me patronazhistët dhe aktivistët që kërkojnë karta identiteti që t’i paraqesin si mbështetës,” tha ish-deputeti.
“Kur kjo ndodh në Fier ku dukshëm elektorati është i majtë, përfytyroni se ç’ndodh atje ku ka ekuilibër të elektoratit,” përfundoi ai.