AKTUALITET

Onejda Ymeraj, kalorsja e korrupsionit që doli në dosjet e vjedhura të SPAK-ut

Gazetari Bledian Koka, gjatë një diskutimi në Euronews Albania, zbuloi emrat e personave, të cilët po hetohen nga SPAK pasi rezultojnë pjesë e materialeve të hetimit që u hakeruan përmes email-eve të prokurorëve të posaçëm. Gazetari përmendi edhe Onejda Ymerajn. 40-vjeçarja Onejda Ymeraj është bashkëshortja e Arbër Teqjas, një personazh i arrestuar vite më parë si pjesë e mafies së ilaçeve dhe sot zbatues i një skeme banale korrupsioni me tendera në shëndetësi.

Dy bashkëshortët konsiderohen njerëzit më të besuar të biznesmenit Klod Allajbeu. Onejda Ymeraj prej 10 vitesh mban pozicione kyçe në Spitalin Amerikan, ndërsa bashkëshorti i saj është administrator dhe pronar fiktiv i disa bizneseve dhe kompanive të biznesmenit.

Disa muaj më parë, BKH-ja i ka sekuestruar telefonin zonjës Onejda Ymeraj në kuadër të hetimeve për korrupsion, për pastrim parash, vjedhjes së parave publike me koncensionin 84 milionë euro të hemodializës etj. Ymeraj dyshohet se është mbulesa dhe ekzekutuesja e skemës së korrupsionit me koncensionin e hemodializës, ku paratë e përvetësuara me shërbime të pakryera kanë shkuar nga Tirana në Holandë dhe nga Holanda në Londër, duke u investuar në pasuri të paluajtshme, ndërsa një pjesë kanë ardhur në Shqipëri, duke u investuar gjithashtu në pasuri të paluajtshme dhe korruptimin e qarqeve politike dhe mediatike.

Onejda Ymeraj është marrë në pyetje në SPAK, ku sipas burimeve nuk është treguar bashkëpunuese, pavarësisht ballafaqimit me prova për aktivitetin e saj. Ajo ka kundërshtuar në GJKKO sekuestrimin e telefonit, por e ka humbur betejën deri në Gjykatën e Lartë. Sipas burimeve, javët e fundit, çifti ka nisur të shesë kompanitë e korrupsionit dhe pastrimit të parave, në kuadër të lëvizjeve për t’i shpëtuar një vale të mundshme arrestimesh.

Kush është Onejda Ymeraj, nga baleti tek kalërimi i buxhetit të shëndetësisë?

Pas përpjekjeve për të ndërtuar një karrierë si balerinë në Itali, Onejda Ymeraj u kthye në Shqipëri, ku falë vjehrrës saj Arjana Strakosha, sot zëvëndësdrejtoreshë e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, hapi një farmaci para Pediatrisë, ku shiste ilaçet kontrabandë të bashkëshortit, Arbër Teqja, i arrestuar më pas për këtë aktivitet.

(Vjehrra dhe bashkëshorti i Ymerajt)

Ymeraj kishte vetëm emrin pasi farmacia menaxhohej nga Arbër Teqja dhe mamaja e tij Arjana Strakosha. Zonja Ymeraj punonte ndërkohë në një bankë të nivelit të dytë.

Në vitin 2014, Onejda Ymeraj punësohet në Spitalit Amerikan me 6 mijë euro pagë në muaj.

Në maj të viti 2015, Onejda Ymeraj u emëruar drejtoreshë e Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, në konlikt të pastër interesi, pasi bashkëshorti dhe vjehrra e saj kishin biznes barnash.

Sapo mori detyrën që i dhanë, Ymeraj deklaroi se do të kontrollonte depot farmaceutike dhe nuk do të toleronte asnjë abuzim. Por, pas një muaj, ajo dha dorëheqjen pa shpjegim dhe u kthye sërish në Spitalin Amerikan.

Nuk do të kalonin shumë kohë dhe skandali ku ishte përfshirë edhe burri i saj, ArbërTeqja, do të plaste në publik. Pas një hetimi nga Prokuroria e Tiranës, Arbër Teqja u arrestua në nëntor 2015 si pjesë e një skeme mashtrimi dhe vjedhjeve të parave publike, përmes rimbursimit të medikamenteve me anë të farmacisë “Express”, të cilën e administronte.

Arbër Teqja ishte pjesë e grupit me mbi 20 persona, që prodhonte receta false dhe merrte para publike nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Në krye të grupit qëndronte Nadir Çausholli, një emër i njohur për aferat me barnat.

Teqja jo vetëm doli shumë shpejt nga qelia dhe i shpëtoi ndëshkimit, por deri më sot ka marrë miliona euro tendera në sektorin e shëndetësisë, me kompaninë e krimeve mjedisore Eco Riciklim, gjoja për riciklimin e mbetjeve spitalore, të cilën disa ditë më parë ia ka shitur Allajbeut për 60 mijë euro.

Dokumentet zyrtare tregojnë se ‘Eco Riciklim’ ka marrë paratë publike për gjoja asgjësimin e mbetjeve spitalore, por nuk ekziston dokumentacioni real për të faktuar procesin e asgjësimit deri në hallkën fundore siç parashikohet në kontrata.

Krahas bashkëpunimit në përvetësimin e parave publike, grupi nisi të shfaqte edhe pasionin për kalërimin.

Biznesmeni Klodian Allajbeu që kishte marrë në punë Onejda Ymerajn dhe që i bleu kompaninë Eco Riciklim bashkëshortit të saj Arbër Teqja, është drejtor ekzekutiv në Federatën Shqiptare të Sporteve me Kuaj si dhe administrator i Organizatës Kombëtare Antidoping.

Një pistë hipizmi ishte ndërtuar si pjesë një resorti në Mullet të Tiranës, me rreth 20 kuaj. Resorti, me një sipërfaqe mbi 100 mijë m2, ku përfshihen edhe 7 pishina gjigante, suita, restorante etj., administrohej nga Arbër Teqja.

Pista e hipizmit frekuentohej herë pas here edhe nga Onejda Ymeraj, e cila ndërkohë ‘kalëronte’ edhe buxhetin e shëndetësisë.

Onejda Ymeraj është edhe aksionere në letra në kompaninë e ndërtimit FUTURE CONCEPT, përmes kompanisë fantazmë OKAY MED-INVEST, në ortakëri me Florian Alimadhin, ish drejtorin e Kadastrës së Vlorës, dora e zezë e oligarkëve dhe grupeve kriminale për tjetërsimin dhe zhvatjen e pronave në jug të vendit.

Për të dokumentuar veprimtarinë korruptive të Florjan Alimadhit duhet të punojë një vit me kapacitet të plotë e gjithë BKH-ja dhe gjysma e prokurorëve të SPAK-ut. Me kompaninë FUTURE CONCEPT besohet se janë pastruar paratë e korrupsionit me tendera dhe koncensione.

Skema e korrupsionit me Eco Riciklim

Mjekja e njohur Arjana Strakosha mban prej vitesh funksionin publik si zëvëndësdrejtoreshë e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ndërsa është pjesë e Shërbimit të Nefrologjisë dhe Hemodializës.

Arbër Teqja, i arrestuar në vitin 2015 si pjesë e një skeme mashtrimi dhe vjedhje të parave publike me receta fiktive në bashkëpunim me FSDKSH, është i biri i zonjës Arjana Strakosha.

(Arjana Strakosha dhe Arbër Teqja, nënë e bir)

Teqja është pronar me 70 % të aksioneve i kompanisë së grumbullimit, përpunimit, transportit dhe asgjesimit të mbetjeve spitalore ECO RICIKLIM (L61814009B).

Teqja bleu fillimisht 51 % të aksioneve të kompanisë ECO RICIKLIM në dhjetor 2020.

Kompania ECO RICIKLIM, e skeduar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për mashtrim me asgjesimin e mbetjeve spitalore, ka marrë 51 tendera në sektorin e shëndetësisë, 5 nga të cilët drejtëpërdrejt nga QSUT, me nëndrejtoreshë Arjana Strakosha, mamaja e Arbër Teqjat, pronar kryesor i kompanisë përfituese të parave publike.

Tenderin e fundit, kompania e Arbër Teqajt e ka marrë nga QSUT në 21 mars 2025, për ‘trajtim dhe asgjesim i mbetjeve të QSUT, me vlerë 1.5 milionë euro, si gjithnjë pa konkurrencë, me pazar në tavolinë dhe me ofertë fituese sa fondi limit.

Arbër Teqja ka lidhje me kompaninë MSE (ish “ASHLAR Group”), e cila ka si objekt import-eksport dhe tregtim me shumicë dhe pakicë të instrumentave dhe pajisjeve shendetësore dhe medicinale, sanitare etj.

Kompania është themeluar nga Denisa Bishyti në korrik të vitit 2018.

Dy vjet më vonë, në tetor 2020, Denisa Bishyti ua shet kompaninë shtetasve Ilda Tërshana, Arbër Liçaj dhe Can Kutay Orten.

Në 22 nëntor 2022 shfaqet Arbër Teqja, i cili blen 80 % të aksioneve të kompanisë MSE shpk, me vlerë 4.6 milionë lekë.

Është koha kur SPAK-u nis shembjen e murit të pandëshkueshmërisë në Shqipëri, duke çuar prapa hekurave ish kryeministra, ministra, ish ministra, kryebashkiakë, drejtorë, biznesmenë etj., për përvetësimin e parave publike me tendera dhe koncensione.

Në këto rrethana, në 8 qershor të vitit 2023, Arbër Teqja nis të kamuflohet, duke nxjerrë në skenë një kompani gjoja të huaj.

Teqja ia kalon 80 % të aksioneve kompanisë Cambridge Pathology B.V., e themeluar në Hagë, me adresë Nassaulaan 2A, 2514 JS dhe NIPT 27304776. Pas kësaj kompanie fshihen fijet e Arbër Teqjajt.

Gjithsesi, nga 22 nëntori 2022 deri në qershor 2023, Arbër Teqja ka kontrolluar kompaninë MSE shpk., e cila ka marrë 29 tendera publikë në sektorin e shëndetësisë.

Në 20 dhjetor 2022, QSUT, me nëndrejtoreshë Arjana Strakosha, ka lidhur një kontratë për pajisje mjekësore prodhues Olympus ose ekuivalent, me kompaninë MSE shpk, me pronar në atë kohë Arbër Teqja, i biri i zonjës Strakosha.

Në 29 janar 2024, kompania MSE, tashmë e kontrolluar indirekt nga Arbër Teqja, ka marrë një tender me vlerë 700 mijë euro, për pajisje mjekësore prodhues Siemens /ose ekuivalent nga QSUT, me nëndrejtoreshë Arjana Strakosha, mamaja e Arbër Teqjas.

Dy javë më parë, Teqja mori tenderin e radhës 1.5 milionë euro nga QSUT, ku mamaja e tij është nëndrejtoreshë. Është një skemë korrupsioni sa flagrante aq edhe e thjeshtë, e provuar me fakte dhe prova./prapaskena

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button