LIFE STYLE

Paolo Sorrentino «Pasioni im për Maradonën më ka shpëtuar»

Ndërsa filmi i tij i fundit, La Grazia, del në kinema më 28 janar, regjisori napolitan i Dorëa e Zotit ruan një dashuri të pakufizuar për idhullin e rinisë së tij.

«Maradona nuk ka vdekur, ai thjesht ka shkuar të luajë diku jashtë.»

Kështu reagoi Paolo Sorrentino për ndarjen nga jeta të argjentinasit në nëntor 2020. Në moshën 55-vjeçare, regjisori italian mbetet po aq tifoz i zjarrtë. Një dashuri që e ka shprehur në shumë nga veprat e tij (shih më poshtë), veçanërisht tek Dora e Zotit (2021) ose në serialin The Young Pope (2016).

Në vitin 2014, në momentin kur mori Oscarin për filmin më të mirë të huaj për La Grande Bellezza, napolitani kishte përmendur Maradonën përkrah Martin Scorsese-s dhe Federico Fellinit, si burime frymëzimi. Të mërkurën, më 28 janar, është premiera e filmit të tij të 11-të artistik, “La Grazia”. Aktori i tij i parapëlqyer, Toni Servillo (fitues i çmimit për interpretimin më të mirë në Festivalin e Venecias 2025), luan rolin e një presidenti Republike në largim, përballë dy dilemave morale: të firmosë apo jo ligjin që lejon eutanazinë dhe të falë apo jo dy të dënuar për vrasje. Nuk ka asnjë referencë për Maradonën në ekran, përveç emrit të shtëpisë së tij të produksionit, të cilën e ka quajtur “Numero 10”. Por në zemrën e tij, argjentinasi është më i pranishëm se kurrë, siç ia ka rrëfyer për L’Équipe gjatë vizitës së tij në Paris.

«Për herë të parë, pothuajse nuk ka asnjë referencë për futbollin në “La Grazia”. Pse? Nuk e doni më futbollin?»

Po, e dua shumë. Thjesht kësaj here nuk më erdhi natyrshëm.

«Është filmi i dytë i prodhuar nga shoqëria juaj Numero 10. Është mënyra juaj për t’i bërë homazh idhullit tuaj?»

Jo, ky emër është një ide e gruas sime. Po kërkoja thjesht një titull me një emër dhe një numër, dhe ajo më tha: “Epo, merr Numrin 10!”. Ajo është napolitane, është gjithashtu tifoze, por me masë.

Te “Dora e Zotit”, ju rrëfeni dashurinë tuaj për Napolin dhe Maradonën, por edhe një dramë personale të adoleshencës suaj: vdekjen aksidentale të prindërve tuaj. Dhe gjithçka është e lidhur…

Ajo që është e çuditshme, është se unë shpëtova nga pasioni im për Maradonën. Kur prindërit e mi shkuan të kalonin fundjavën në mal, në shtëpinë e tyre në Abruzzo, ku do të vdisnin (të asfiksuar nga monoksidi i karbonit), unë nuk isha aty. Kisha dashur me çdo kusht të shkoja të ndiqja një ndeshje të Napolit në transfertë, në Empoli. Dhe pas kësaj drame, dashuria ime për të më ndihmoi të mbijetoj.

Kur filmi doli, ju deklaruat në Le Monde: «Shpresoj që Napoli të bëhet sërish kampion (…) Atëherë do të mund të realizoj ëndrrën time: të zhytem në një shatërvan, lakuriq ose me kostum». Keni pasur dy raste për ta bërë këtë, në 2023 dhe në 2025…

Jo, në fund nuk e bëra. Fëmijët e mi më thanë: «Lëre fare, nuk është ide e mirë…»

A nuk jeni ndier i trishtuar nga ajo që ndodhi pas karrierës së  Maradonës? Ai i bë obez, u zhyt në drogë, pati probleme familjare…

Nuk më kujtohet kush e ka thënë për të një frazë shumë të bukur: «Nuk ka rëndësi çfarë ka bërë Maradona me jetën e tij. Ajo që ka rëndësi është çfarë ka bërë ai me tonën». Personazhe të tillë, në dukje të ekzagjeruar, janë pikërisht magjepsëse për këtë arsye. Ai nuk ishte i zakonshem në fushë, talenti i tij e tejkalonte shumë atë të të tjerëve, por ishte i tillë edhe në jetën e tij private. Kjo ishte pjesë e personazhit të tij.

Në vitin 2015, ju e shndërroni Maradonën e sëmurë dhe obez në një personazh në filmin “Youth’. Ai duket patetik në fillim, por që mahnit të gjithë, veçanërisht duke xhongluar në mënyrë spektakolare me një top tenisi.

Të luash futboll është gjëja më e bukur në jetë. I ri, isha i fiksuar pas këtij sporti, por nuk kisha asnjë talent. Megjithatë, prapë kënaqesha shumë. Prandaj e imagjinoj lumturinë e të luajturit futboll kur je i talentuar si Maradona. Në Youth, kam dashur të përfaqësoj këtë Maradonë obez, të lodhur, të dëshpëruar, por që nuk mund ta mendojë jetën e tij pa futbollin. Ai vetë e ka treguar shumë bukur:
“Në një festë, edhe nëse jam i veshur me kostum të bardhë, nëse dikush më hedh një top plot me baltë, nuk do të hezitoj të bëj një kontroll me gjoks…”

Po ju, luanit numrin 10, si ai?

Jo, osha mesfushor mbrojtës. Sepse në atë kohë, në Napoli, kishte një tjetër lojtar mitik në atë pozicion, Salvatore Bagni (41 paraqitje me Italinë në vitet 1980). Ishte një mesfushor shumë i fortë që përpiqesha ta imitoja.

Ju e keni takuar një herë Maradonën, në Madrid

Po, në vitin 2017 (për ndeshjen e parë të 1/8-ave të Ligës së Kampionëve, Real Madrid–Napoli, 3-1). Kur e takova, ishte shumë i trazuar. Një natë më parë, policia kishte shkuar në hotelin e tij; flitej se kishte goditur partneren. Kur e pashë, nuk ishte në gjendjen më të mirë. U përpoqa t’i shpjegoja kush isha, por ai kishte gjëra të tjera në mendje. Nuk i bëri shumë përshtypje.

Ndonjëherë është më mirë të mos i takosh idhujt e tu?

Jo, është gjithmonë bukur të takosh dikë si ai. E kam parë nga afër disa herë kur shkoja në stadium në Napoli, si adoleshent. Ishte gjithmonë mbresëlënëse të shihje se si njerëzit, unë dhe të tjerët, silleshin sapo shfaqej Maradona.

Në Madrid, ai mbërriti në mes të ndeshjes. Për një çast të shkurtër, i gjithë stadiumi ndaloi së ndjekuri ndeshjen vetëm për ta parë teksa zbriste shkallët. Ishte e pabesueshme.

Kur morët Oscarin tuaj në vitin 2014, përmendët Federico Fellinin, Martin Scorsese-n, grupin Talking Heads dhe Maradonën si frymëzime. Cili ka qenë më i rëndësishmi?

Pa asnjë dyshim, Maradona. Ndeshjen e tij të parë në Napoli e pashë kur isha 14 vjeç. Nuk mbaj mend kundër kujt ishte, por e di që binte shi (me sa duket kundër Arezzo-s, në Kupën e Italisë, 4-1). Falë Maradonës, kuptova se bëhej fjalë për diçka shumë më tepër sesa një ndeshje futbolli. Ishte një spektakël i madh, i transmetuar në të gjithë qytetin. Për herë të parë pashë se si një shfaqje mund të bashkonte një komunitet të tërë. Kinemanë e zbulova vetëm në moshën 19-vjeçare; Fellini dhe Scorsese erdhën më pas. Muzika erdhi edhe më vonë.

Pesë vjet pas vdekjes së tij, të krijohet përshtypja se napolitanët janë po aq të dashuruar me Maradonën, në mos më shumë…

Ai është shndërruar në mit, në një gjysmë-perëndi. Napolitanët kanë një pasion të pakufizuar për gjithçka që është gjysmë-hyjnore, sepse aty ka edhe argëtim, mëkat, lojë. Kur je gjysmë-hyjnor në Napoli, je përjetë.

A është po aq i rëndësishëm sa San Gennaro, shenjti mbrojtës i qytetit?

Është edhe më i rëndësishëm, sepse San Gennaro bën vetëm një mrekulli në vit (lëngëzimin e gjakut të tij, çdo 19 shtator në katedralen e Napolit). Dhe madje, as kjo nuk ndodh gjithmonë. Maradona, përkundrazi, bën disa mrekulli çdo vit. Është një mik që është gjithmonë pranë teje, edhe nëse nuk e ke njohur vërtet sa ishte gjallë.

Pas Emir Kusturicës (Maradona nga Kusturica, 2008) dhe Asif Kapadia-s (Diego Maradona, 2019), a do të mund të realizonit një dokumentar për Maradonën? Apo edhe një film artistik?

Dokumentari i Kusturicës ishte shumë i mirë. Do të ishte gabim të bëhej një tjetër. Sa i përket filmit artistik, me personazhe kaq të rëndësishëm nevojitet njëfarë distance, sidomos kohore. Tani është shumë herët.

Futbolli në zemër të veprës së Sorentinos prej njëzet e pesë vitesh

Që nga filmi i tij i parë, Njeriu i tepërt, Paolo Sorrentino ka futur rregullisht në veprën e vet referenca, herë të drejtpërdrejta e herë të tërthorta, ndaj futbollit. Topi i rrumbullakët përshkon kinemanë e tij si një motiv i vazhdueshëm, i lidhur me jetën, tragjedinë, pasionin dhe mitin.

Njeriu i tepërt” (2001), Drama e Di Bartolomeit

Filmi i tij i parë artistik, tashmë me Toni Servillo-n në rol kryesor, përmban edhe referencën e parë futbollistike. Historia rrëfen fatin e trishtë të një futbollisti depresiv, Antonio Pisapia. Frymëzimi i vërtetë për Sorrentinon ishte Agostino Di Bartolomei, kapiteni emblemë i Romës në vitet 1980, i cili vrau veten më 30 maj 1994, saktësisht dhjetë vjet pas humbjes së finales së Kupës së Kampionëve Evropianë në Romë kundër Liverpool-it (1–1, 2–4 me penallti).

“Vetëvrasja e tij më tronditi shumë,” rrëfen regjisori italian. “Zakonisht sporti lidhet me diçka të gëzueshme, zbavitëse… ndërsa ai vrau veten pikërisht sepse sporti nuk i sillte më asnjë gëzim.”

“Youth” (2015), Maradona, gjenial pavarësisht gjithçkaje

Filmi zhvillohet në një hotel luksoz zviceran, i shndërruar në qendër rehabilitimi për yje të famshëm. Michael Caine dhe Harvey Keitel luajnë përkatësisht rolet e një kompozitori dhe një regjisori. Mes klientëve të tjerë ndodhet edhe Diego Maradona, i mishëruar nga aktori argjentinas Roly Serrano.

Obez, i sëmurë, ish-futbollisti ecën me bastun dhe mezi përshkon gjatësitë e pishinës. Por aftësia e tij me topin – qoftë futbolli apo një top tenisi – mbetet po aq mbresëlënëse.

The Young Pope” (2016)

Kardinali Voiello, tifoz i Napolit

Në The Young Pope, e më pas në The New Pope (nga viti 2020), Jude Law interpreton Piun XIII, një papë i ri por thellësisht reaksionar. Sekretari i tij i shtetit, kardinali Angelo Voiello (Silvio Orlando), është një tifoz i zjarrtë i Napolit.

Ai e kalon kohën duke përpirë shtypin sportiv dhe ka zgjedhur madje edhe një mbrojtëse telefoni me ngjyrat e klubit të tij të zemrës. “Kardinali Voiello interesohet fillimisht për Napolin dhe vetëm më pas për fenë,” përmbledh Sorrentino.

“Dora e Zotit” (2021), Do të vijë, apo s’do të vijë?

Ky film autobiografik zhvillohet në vitet 1980 dhe nis në çastin kur thashethemet për transferimin e mundshëm të Maradonës në Napoli pushtojnë çdo bisedë. “Nëse Maradona nuk vjen të luajë në Napoli, unë vras veten…”, deklaron madje një xhaxha i personazhit kryesor, Fabietto.

Fabietto, i interpretuar nga Filippo Scotti, është alter egoja kinematografike e Sorrentinos së ri. Duke shkuar të ndjekë një ndeshje të klubit të tij të dashur, ai i shpëton vdekjes. Po atë ditë, prindërit e tij humbin jetën nga asfiksia me monoksid karboni në apartamentin e tyre malor, për shkak të një oxhaku.

Përtej pamjeve arkivore të Maradonës – veçanërisht goli me dorë në çerekfinalen e Kupës së Botës 1986 kundër Anglisë (2–1) – filmi e tregon argjentinasin edhe duke stërvitur goditjet e dënimit. Por gjithmonë nga pas, si një figurë mitike e pakapshme.

“Parthenope” (2024) “Ale, ale, ale…”

Filmi i parë i prodhuar nga shtëpia e tij e produksionit Numero 10 ndjek jetën e një napolitaneje, Parthenope, e interpretuar nga Celeste Dalla Porta dhe, në moshë më të madhe, nga Stefania Sandrelli.

Në fund, pas një karriere si profesoreshë antropologjie në veri të Italisë, ajo kthehet në qytetin e saj të lindjes. Aty ndeshet me një autobus plot tifozë që festojnë Scudetton e tretë të Napolit, në vitin 2023, duke kënduar himnin e tyre Un Giorno All’Improvviso.

“Kjo ka ndodhur vërtet,” siguron Sorrentino. “Autobusi kishte madje formën e një anijeje. E ripërdora për filmin. Napoli është një qytet që të surprizon vazhdimisht. Personazhi im ka përjetuar gjithçka, e njeh jetën në thellësi, dhe ja ku befasonet nga një autobus-anije që këndon…”

/Interviste e dhënë për të përditshmen sportive L’equipe, përgatiti T.Çela, Lapsi.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button