
Fier – Përplasja politike brenda Partisë Socialiste në Fier ka hyrë në një fazë të re dhe më të ashpër, duke nxjerrë në sipërfaqe një luftë të hapur për kontroll dhe influencë.
Belinda Balluku, ndonëse e dobësuar në raport me pushtetin qendror, duket e vendosur të forcojë pozitat e saj në parti, veçanërisht në Qarkun e Fierit ku mban drejtimin politik. Burime lokale bëjnë me dije se lëvizjet e fundit nuk janë rastësore, por pjesë e një strategjie për të konsoliduar kontrollin në strukturat vendore.
Në anën tjetër qëndron kryebashkiaku Armando Subashi, me të cilin përplasja prej kohësh ka dalë nga prapaskenat dhe tashmë po zhvillohet hapur.
Zhvillimet e fundit i hedhin më shumë “benzinë zjarrit”.
Nënkryetarja e Këshillit Bashkiak, Fatbardha Merkaj – e konsideruar si një nga njerëzit më të afërt të Ballukut – ka kërkuar mbledhjen e Këshillit për ditën e enjte. Në rendin e ditës është futur një pikë e fortë dhe e papritur: votimi për shkarkimin e kryetares së Këshillit Bashkiak, Antoneta Çunaj.

Burime për Alb365 bëjnë me dije se nuk ka një argumentim të qartë institucional për këtë kërkesë, çka e bën edhe më të dukshme natyrën politike të lëvizjes. Në thelb, ajo shihet si një tjetër episod në përplasjen Balluku–Subashi për kontrollin e Bashkisë Fier.
Por ajo që e rëndon edhe më shumë situatën janë akuzat që vijnë nga brenda vetë radhëve socialiste. Këshilltarë bashkiakë të PS, të cilët flasin në mënyrë anonime nga frika e largimit nga puna, pretendojnë se bëhet fjalë për një “urdhër politik” të drejtpërdrejtë nga drejtuesja e qarkut.
Sipas tyre, presioni ka qenë i hapur: kush nuk firmos apo nuk rreshtohet, rrezikon vendin e punës. Kjo, sipas tyre, nuk është një nismë e lirë politike, por një test besnikërie i imponuar.
Një situatë e ngjashme thuhet se ka ndodhur edhe më herët, gjatë tentativës për largimin e Evis Semës nga drejtimi i këshilltarëve socialistë. Në atë kohë, disa këshilltarë refuzuan të firmosnin dhe, sipas burimeve, u përballën me presion të drejtpërdrejtë në mbledhje për të “zbatuar urdhrin politik”.
Mbledhja e së enjtes, më 30 nëntor, pritet të jetë shumë më tepër sesa një procedurë formale. Ajo shihet si një provë force, një moment kyç që mund të tregojë hapur se kush ka realisht peshën vendimmarrëse në Bashkinë e Fierit.
Në fund, pyetja që mbetet është e thjeshtë, por thelbësore: kush e kontrollon Fierin – Balluku apo Subashi?











