Gjesti gati për rikthimin në skenë, zbulohet kënga

Gjesti duket se nuk ka ndërmend të ndaloj. Me një postim të fundit në rrjetet sociale, këngëtari ka ndarë një seri prej 17 fotosh që duken si një “ditar vizual” nga prapaskenat e punës së tij më të re.
Këtë herë, ai i është larguar zhurmës urbane për t’u zhvendosur në një vilë mes natyrës, ku po punon në qetësi për projektet e ardhshme. Atmosfera që reflektojnë pamjet është e lirshme dhe kreative, një kombinim mes relaksit dhe frymëzimit. Nuk mungon as stili i tij i veçantë: nga detaje lozonjare si aksesorët e pazakontë, deri te veshjet streetwear dhe momentet spontane që i japin postimit një ndjesi autentike.
Mes gjithë kësaj estetike, një detaj ka tërhequr vëmendjen më shumë se të tjerët. Në një nga fotot, Gjesti ka përfshirë një “screenshot” të një skedari audio me titullin “FUQISHEM-demo1”, duke lënë të kuptohet se ky do të jetë projekti i tij i ardhshëm.
Ai nuk është vetëm në këtë fazë krijuese. Në studio i bashkohet edhe Gimbo, me të cilin duket se po bashkëpunon ngushtë. Dyshja po punon intensivisht dhe, nëse gjykojmë nga energjia që përcjell ky projekt, pritet një publikim që mund të bëjë bujë.









