Sunday, November 24, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeEKONOMIParashikohet rritje e çmimit të banesave

Parashikohet rritje e çmimit të banesave

Çmimet e apartamenteve u rritën ndjeshëm tre vitet e fundit, ndërsa në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, tendenca duket se u qetësua, duke shënuar rënie të lehtë. Por, ndërtuesit sërish mendojnë që të rrisin çmimet në muajt në vijim. Sipas vrojtimit të besimit të bizneseve të publikuara nga Banka e Shqipërisë, që ka intervistuar ndërtuesit, këta të fundit kanë shtuar pritshmëritë për rritjen e çmimeve në qershor, pas një pesimizmi në dy muajt e mëparshëm.

Ndërtuesve u bëhet pyetja: Si prisni të ndryshojnë çmimet që ju do të vendosni gjatë 3 muajve të ardhshëm?

  1. Do të rriten
  2. S’do të ndryshojnë
  3. Do të bien

Balanca e përgjigjeve për këtë pyetje u rrit në qershor, duke arritur në 26.2 (kjo balancë nënkupton që 26.2% më shumë ndërtues mendojnë se çmimet do të rriten në raport me ata që mendojnë të kundërtën).

Ndërtuesit janë optimistë dhe për rritjen e aktivitetit të tyre në muajt në vijim. Sipas Bankës së Shqipërisë, Treguesi i Besimit në Ndërtim (TBN) u rrit me 2.2 pikë përqindje në muajin qershor, duke shënuar nivelin më të lartë historik.

Ky tregues qëndron 37 pikë përqindje mbi nivelin e mesatares afatgjatë. Rritja këtë muaj u përcaktua si nga vlerësimet më të mira për aktivitetin aktual ndërtues ashtu dhe për nivelin e porosive aktuale. Ndërkohë, si pritjet për punësimin ashtu edhe ato për çmimet në të ardhmen shënuan rritje.

Optimizmi i biznesit të ndërtimit duket i lidhur me përmirësimin e porosive, ndonëse balanca e përgjigjeve për pyetjet “Si i vlerësoni porositë (kontratat porositëse) aktualisht?” është negative në -10, por gjithsesi është niveli më i mirë që është regjistruar ndonjëherë që nga viti 2016, kur raportohen të dhënat.

Çmimet ishin në rënie për herë të parë në gjysmën e dytë të vitit 2022

Sipas Indeksit Fischer të çmimit të banesave, që llogaritet nga Banka e Shqipërisë me bazë 6-mujore, çmimi mesatar i banesave të shitura gjatë 6-mujorit të dytë 2022 rezultoi në rritje me 16.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, por është ulur me 9.1%, në krahasim me gjashtëmujorin e parë të vitit.

Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo ecuri sugjeronte se rritja e çmimeve mund të ketë hyrë në një fazë normalizimi, pas një rritjeje prej 28.4% në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022 (kundrejt gjashtëmujorit paraardhës).

Çmimet e apartamenteve kanë shënuar rritje të ndjeshme vitet e fundit. Po sipas Indeksit Fischer, që nga viti 2013, që është viti bazë, deri në 6 muorin e parë 2022, indeksi i çmimeve të banesave u rrit me afërsisht 110%, shumë më lart se shtetet e Bashkimit Europian ku që nga nga viti 2010 deri në 3-mujorin e dytë të 2022, apartamentet janë shtrenjtuar me 48%.

Tirana dhe bregdeti, më të shtrenjtat

Në Tiranë, apartamentet janë shtrenjtuar me ritme të shpejta. Në kullat në qendër çmimi ka arritur deri në 6 mijë euro për metër katror, ndërsa në periferi tashmë luhatet në 1000 euro/m2 dhe në zonat brenda Tiranës në rreth 1500-3500 euro, në varësi të pozicionit.

Bregdeti, sidomos Jugu, është një tjetër zonë që po tërheq blerës, për shkak të çmimeve ende më të lira në raport me vendet e rajonit si Budva në mal të Zi, apo Kroacia, duke bërë që në resortet luksoze të arrijnë në 3500 euro/m2.

Teksa çmimet e apartamenteve janë rritur me ritme më të shpejta se të ardhurat e familjeve dhe individëve, fuqia blerëse ka rënë ndjeshëm, duke i bërë hyrjet në Shqipëri ndër më të shtrenjtat në Europë.

Tregu i pasurive të paluajtshme arriti rekord në T I

Që nga tremujori i parë i vitit 2021 tregu i pasurive të paluajtshme është rritur me ritme shumë më të shpejta në krahasim me periudhat e mëparshme

Të dhënat e publikuara nga INSTAT bëjnë të ditur se prodhimi i brendshëm bruto me çmime korente në aktivitetin e pasurive të paluajtshme, që mat vlerën e transaksioneve ekonomike në këtë sektor, arriti në 32.3 miliardë lekë, ose gati 300 milionë euro në tre muajt e parë të vitit.

Ky është niveli më i lartë i transaksioneve të tregut të pasurive të paluajtshme i regjistruar ndonjëherë, që kur INSTAT raporton të dhënat./ Monitor

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME