Pas 26 vitesh, gjenden në një varr masiv 11 të zhdukur gjatë luftës në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar në rrjetet sociale pamjet nga një varr masiv në Bishtazhin, ku janë gjetur pas 26 vitesh trupat e 11 qytetarëve të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kurti shkruan se pas masakrës në Kralan, forcat shtetërore të Serbisë, i kishin rrëmbyer dhe groposur në varreza masive, në përpjekje që t’i zhdukin, bashkë me dëshmitë e krimeve.
“Aty u mbajtën nën tortura të vazhdueshme, pa ujë dhe ushqim për dy ditë. Më 4 prill, nga ta u ndaluan 86 burra dhe djem, ndër të cilët 11 ishin të mitur. Që nga ajo ditë, askush nga ta më nuk është parë i gjallë. Disa prej tyre ishin gjetur në afërsi të liqenit Peruqac në Bajina Bashta të Serbisë. Pas zhvarrosjes nga Bishtazhini, Serbia i rrëmbeu kufomat”, ka shkruar ai, ndërsa ka ndarë dhe emrat e atyre që janë indentifikuar.
Pas 26 viteve, në varrezën masive në Bishtazhin, janë gjetur dhe identifikuar:
Adem Gashi
Sahit Gashi
Bekim Hasani
Sheremet Ismajli
Mentor Myrtaj
Osman Fejza
Shkelzen Hajdaraj
Bekim Gashi
Sabedin Kryeziu
Mentor Kryeziu
Vehbi Halilaj
“Plagët e hapura të zhdukjeve me dhunë janë e vërteta e krimeve çnjerëzore dhe gjenocidit të kryer nga Serbia gjatë luftës në Kosovë”, shkruan Kurti.