AKTUALITETEKONOMITOP-NEWS

‘Patosi në errësirë’/ Bizneset drejt falimentimit: Po na digjen pajisjet, po hedhim mallin poshtë!

Ndërprerjet e njëpasnjëshme të energjisë elektrike po e çojnë drejt kolapsit ekonomik një nga zonat më aktive të Bashkisë Patos. Pronarë biznesesh dhe banorë të lagjes “Ofiçina e Vjetër” kanë denoncuar se prej javësh energjia po ndërpritet pa asnjë paralajmërim, duke shkaktuar dëme të pallogaritshme në pajisjet elektrike, prodhime ushqimore dhe aktivitetin e përditshëm.

“Po falimentojmë. Po na digjen pajisjet dhe po hedhim mallin poshtë!” – shprehen të revoltuar tregtarët, të cilët përballen me situata kaotike në bizneset e tyre.

Sipas tyre, nënstacioni elektrik i naftës, nga i cili furnizohen aktualisht, është kthyer në burimin kryesor të problemeve, pasi defektet janë të shpeshta dhe nuk ka ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet.

Qindra familje, dhjetëra biznese dhe sektori i industrisë së naftës në zonë kanë mbetur pa energji për orë të tëra, duke krijuar një zinxhir dëmesh që rritet dita-ditës. Banorët tregojnë se frigoriferët janë mbushur me produkte të prishura, nga mishi te brumërat të cilat detyrohen t’i hedhin poshtë çdo ditë.

Nga ana tjetër, banorët deklarojnë se situata ka degraduar deri aty sa u duhet të paguajnë nga xhepi për riparimin e defekteve në gabinat elektrike.

“Shkojmë për të marrë bukë dhe s’ka, sepse furrat nuk kanë pasur energji. Jemi me fëmijë, jemi me të moshuar dhe jetojmë në errësirë” – shprehen ata të indinjuar.

Ndërkohë, burime nga kompania Albpetrol bëjnë të ditur se ndërprerjet kanë ndodhur për shkak të proceseve teknologjike që vetë kompania kryen, ndërsa mohojnë se ndërprerjet janë të shpeshta. Sipas të njëjtave burime, Albpetrol është në tratativa me OSHE-në për të gjetur një zgjidhje përfundimtare për banorët e zonës që furnizohen nga linjat e naftës.

Burime nga kompani nafte që operojnë në fushën naftënxjerrëse të Visokës pohojnë se linja e transmetimit të energjisë elektrike është në pronësi të kompanisë së naftës Albpetrol sikurse edhe nënstacioni elektrik i naftës. Për shumë vite ndërmarje të naftës furnizoheshin me energji elektrike nga rrjeti i kompanisë Albçetrol, por pas viteve 1990 një pjesë e mirë e banorëve shkëputën kontratat me kompaninë Albpetrol dhe e kaluan me shtetin. Ato biznese dhe ato familje që varen nga rrjeti i naftës kanë ndërprerje me furnizim të energjisë elektrike, pohuan kto burime për ALB365.

Ndikimi negativ nuk kufizohet vetëm brenda lagjes “Ofiçina e Vjetër”. Aktiviteti i bllokuar i bizneseve po penalizon edhe fshatrat përreth, që furnizohen përditë nga tregtarët e kësaj zone.

Banorët dhe bizneset thonë me zë të bashkuar:

“Ne nuk kërkojmë favor, kërkojmë energjinë që paguajmë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button