PD: PS ka marrë urdhër të tërhiqet nga të gjitha debatet televizive

“Eksponentë të lartë të Partisë Socialiste kanë marrë urdhër që të mos dalin më në debat, me anëtarë apo përfaqësues të Partisë Demokratike”. Në një deklaratë të zëdhënësit të fushatës së PD-së, Andi Mustafaj thuhet se përfaqësuesit e partisë më të madhe të opozitës janë zëvendësuar me anëtarë të partive të vogla të cilat nuk kanë synim qeverisjen e vendit.
“Ky fakt duhet të jetë shumë shqetësues për çdo qytetar shqiptar. Debati demokratik po mohohet, në një kohë kur qytetarët kanë të drejtën të njihen me programin dhe personat që kërkojnë t’i përfaqësojnë në Parlamentin e Republikës së Shqipërisë.
I bëjmë thirrje të gjithë mediave që në shenjë proteste, për çdo anulim të një eksponenti të PS-së, të lenë një karrige bosh, dhe të lejojnë anëtarin e Partisë Demokratike, përfaqësuesin e Partisë Demokratike që të shpalosë vizionin, programin e Partisë Demokratike për ‘Shqipërinë Madhështore’ – thuhet në deklaratë.