Fitore e madhe e kombëtares U 21 në ndeshjen e dytë të kualifikueseve të Europianit. Kuqezinjtë e rinj mposhtën me përmbysje Rumaninë, duke rikuperuar disavantazhin e dy golave, për një 3-2 final plot emocione. Shpendi, Berisha e Pajaziti i dhanë fitoren skuadrës së Alban Bushit, që udhëheq grupin me pikë të plota.
Minutat e para ishin shumë të balancuara. Skuadrat qarkulluan topin, pa krijuar raste për shënim. Sinjali i parë ishte i rumunëve, në minutën e 14, me Borza që nuk gjeti kuadratin. Miqtë kishin impaktin më të mirë me lojën dhe provuan me kapitenin Munteanu nga distanca: ngjitur me shtyllën pingule. Pjesa e parë mbyllet me një barazim 0-0 pa shumë raste të pastra për shënim.
Rumania zhbllokoi rezultatin menjëherë pas rifillimit. Grameni, goditi saktë në zonë pas një krosimi nga e djathta duke e depozituar topin në rrjetë. Reagimi i U 21 kuqezi ishte i shpejtë me Arda Kurtulan që u ndal nga traversa, ndërsa goditja e Buxhelaj u largua në linjë nga mbrojtësit rumun. Shqipëria U 21 u shty përpara dhe rrezikoi me Shpendin, por pësoi golin e dytë në minutën e 58′. Lilo grushtoi goditjen e parë, por Borza shënoi në tentativën nga afër.
Reagimi i kuqezinjve ishte fantastik. Pesë minuta më pas Berisha shërbeu për Cristian Shpendin, që ngushtoi difernecën. Goli u dha zemër kuqezinjve që këmbëngulën dhe barazuan në minutën e 70. Kapiteni Medon Berisha lëshoi një predhë nga distanca, duke barazuar shifrat në 2-2. Përmbysja u kompletua tre minuta nga fundi kur Pajaziti, bëri 3-2 brenda zonës. Shpërthen festa në “Elbasan Arena” me kuqezinjtë që më në fund arrijnë të kalojnë në një avantazh të merituar. Tre pikë të rëndësishme për kombëtaren e Bushit, që renditet në vendin e parë të Grupit E me 6 pikë pas dy ndeshjeve të para.