Përplasja/ Berisha: S’na duhen ata që i shërbejnë Ramës. Salianji: Jo një PD qaramane

Kryetari i PD, Sali Berisha ka sulmuar ditën e sotme ish-deputetin Ervin Salianji, gjatë takimit me demokratët e degës së PD-së nr. 1 dhe 3 në kryeqytet. Berisha tha se PD duhet të ripërtërihet me njerëz me moral dhe se koha është e idealistëve. Sipas tij demokratët nuk duhet të ndjejnë keqardhje për ata që bëjnë lojën e Edi Ramës.
“Asnjë keqardhje për ata që bëjnë sikur janë me ne, dhe në fakt punojnë për Edi Ramën”, tha Berisha.
“Përpiquni të afroni dhe të anëtarësoni çdo njeri të ndershëm, çdo idealist. Asnjë keqardhje për ata që bëjnë sikur janë me ne, dhe në fakt punojnë për Edi Ramën. Nuk na duhen gjë ata ne. Nuk kemi lidhje me ta ne. Të bëjmë çdo gjë për të ripërtërirë PD-në me njerëz me moral. Koha është e idealistëve.
Mos keni kurrë keqardhje për ata që bjerrin moralin e tyre dhe shkojnë me krahun tjetër. Përpiquni të afroni dhe të anëtarësoni çdo njeri të ndershëm, çdo idealist. Asnjë keqardhje për ata që bëjnë sikur janë me ne, dhe në fakt punojnë për Edi Ramën. Nuk na duhen gjë ata ne. Nuk kemi lidhje me ta ne” – tha Berisha.
Nuk ka munguar përgjigjja e Salianjit. Ish-deputeti i ka shpërndarë pamje nga takimi i mbajtur një ditë më parë me demokratët në Fier.
“Nga Fieri, mesazh për demokratët”, shkruan ai bashkëngjitur videos së publikuar. Në video Salianji shprehet për domosdoshmërinë e rotacionit politik në vend.
“Anëtarët përcaktojnë lidershipin, vota e përcakton lidershipin. Angazhimi dhe kontributi e përcakton lidershipin. Ne duam një Parti Demokratike që të jetë fituese, që të jetë e besueshme për qytetarët, që të mos jetë qaramane sa herë humb zgjedhjet. Ne do të fitojmë” – tha Salianji.









