Një ish-ushtar i UÇK-së, Veli Sadiku me origjinë nga Mitrovica e Jugut është qëlluar për vdekje në Dijon të Francës. Shkak është bërë një përplasje me armë zjarri mes dy bandave kriminale. Gazeta franceze “Le Figaro” shkruan se Sadiku ishte një viktimë e rastësishme e zjarrit mes bandave. Ai ishte në gjumë në momentin kur u qëllua. Për ngjarjen e rëndë ka folur vajza e viktimës.
“Unë dhe nëna ime u zgjuam nga të shtënat e armëve, të cilat u ndalën fillimisht për disa momente dhe pastaj filluan sërish. Kur unë dhe nëna shkuam të shohim babanë ku flinte në shtrat, ai kishte vdekur”, – tha 23-vjeçarja për gazetën franceze.
55-vjeçari kishte 14 vjet që jetonte në Francë bashkë me familjen e tij. Mediat franceze nuk e bënë të ditur emrin e viktimës, por janë media e Kosovës ato që kanë zbuluar se viktima është Veli Sadiku, ish-ushtar i UÇK-së. Djali i viktimës tha se babai i tij kishte kaluar një atak në zemër në të kaluarën.
“Rreth orës 00:30, disa persona që udhëtonin me një automjet kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të ndërtesave dhe nga një prej të shtënave ka mbetur i vdekur një 55-vjeçar, i cili ndodhej në banesën e tij”, – tha prokurori i Dijonit.
Mësohet se shqiptari është dërguar me urgjencë në spital dhe në orën 00:50 është shpallur i vdekur. Në lagje ndodhet edhe një qendër azilkërkuesish si dhe shtëpitë e disa familjeve të refugjatëve politikë ose azilkërkuesve. Autoritetet janë të shqetësuara për shkak të viktimave që po shkaktojnë përplasjet mes bandave për territore.