“Planeti që nuk duhej të ekzistonte” – Zbulimi që tronditi astronomët

Një zbulim që sfidon gjithçka që dimë për formimin e planetëve është bërë publik nga një ekip shkencëtarësh britanikë: një planet gjigant, i quajtur TOI-6894b, është gjetur duke orbituar një yll xhuxh të kuq me masë shumë të ulët – atje ku, sipas modeleve të deritanishme shkencore, një trup i tillë nuk duhet të ekzistonte.
I publikuar më 4 qershor në revistën Nature Astronomy, zbulimi përshkruan një planet me përmasa të krahasueshme me ato të gjigandëve tanë, por që orbiton një yll shumë më të vogël se Dielli – vetëm një e treta e masës së tij. TOI-6894b ndodhet 241 vite dritë larg Tokës dhe rrotullohet rreth yllit të vet për vetëm 3 ditë.
“Është një zbulim intriguese,” tha astrofizikani Vincent Van Eylen nga University College London. “Këto raste na detyrojnë të rishkruajmë teoritë e formimit planetar.”
Zbulimi u bë nga ekipi i udhëhequr nga Edward Bryant përmes të dhënave të mbledhura nga sateliti TESS i NASA-s. Prej 15 kandidatësh të mundshëm për planetë gjigantë të zbuluar në vitin 2023, TOI-6894b u konfirmua si më i veçanti. Me një masë që përbën 17% të Jupiterit, por me një radius pak më të madh se Saturni, ky është planeti më i madh i zbuluar ndonjëherë që rrotullohet rreth një ylli kaq të vogël.
“Nuk ka qenë pjesë e parashikimeve tona që një yll i tillë të mbante një planet të kësaj mase,” tha Bryant. Deri më tani besohej se yjet me masë të ulët nuk kishin mjaftueshëm material në disqet rreth tyre për të formuar planetë kaq masivë.
Teoria më e përhapur për formimin e planetëve – modeli i akumulimit bërthamor – thotë se planetët gjigantë formohen ngadalë, duke tërhequr gaz rreth një bërthame solide. Por në rastin e TOI-6894b, shkencëtarët po dyshojnë se planeti mund të jetë formuar nga një disku i paqëndrueshëm që është shembur menjëherë në vetvete.
Zbulime të tilla po nxisin kërkime të reja. Tani, teleskopi James Webb do të përdoret për të analizuar atmosferën e TOI-6894b dhe për të zbuluar më shumë rreth përbërjes dhe historisë së tij.
“Pjesa më e madhe e yjeve në galaktikën tonë janë të vegjël, si ky,” tha Daniel Bayliss nga Universiteti i Warwick. “Nëse mund të mbajnë planetë gjigantë, atëherë ndoshta kemi nënvlerësuar ndjeshëm diversitetin e sistemeve planetare në univers.”