BOTA

Fshati i prostitucionit në Bangladesh ku vajzat shiten nga familjarët

Në një fshat të errët në brigjet e lumit Padma në Bangladesh, ndodhet një nga bordelot më të mëdha në botë — Daulatdia, një labirint me shatra llamarine ku më shumë se 1,500 gra dhe vajza, disa prej tyre që në moshën 10-vjeçare, shfrytëzohen çdo ditë nga mbi 3,000 burra për vetëm 2 paund.

Prostitucioni në Bangladesh është i toleruar me ligj, por realiteti i fshatit të Daulatdia është një dëshmi e një sistemi brutal trafikimi dhe abuzimi. Vajzat shpeshherë shiten nga të dashurit, nga prindërit ose rrëmbehen nga bandat dhe më pas detyrohen të punojnë për të shlyer borxhe që s’kanë ekzistuar kurrë. Ato mbahen nën kontroll nga “madamet”, të cilave u paguajnë çdo ditë qiranë, ndërsa jetojnë dhe punojnë në kushte çnjerëzore.

“Nëse do të më kthente dikush te shkolla, nuk do kërkoja asgjë tjetër,” rrëfen një grua që ishte shitur në këtë ferr kur ishte vetëm tetë vjeçe.

Fshati, që ndodhet ngjitur me një stacion treni dhe një terminal tragetesh, është një pikë ndalimi për dhjetëra kamionistë që shfrytëzojnë vajzat e reja në emër të “argëtimit pas pune”. “Gratë janë nga 10 deri në 40 vjeç. Çmimet ndryshojnë, nga 60 cent në 10 euro,” thotë një prej tyre, duke qeshur.

Shumë nga viktimat jetojnë me fëmijët e tyre në të njëjtat dhoma ku presin klientët. Rreth 500 deri në 1,000 fëmijë rriten mes mureve të bordellove, duke u rrezikuar çdo ditë të ndjekin të njëjtën rrugë si nënat e tyre. Shumë prej tyre nuk e njohin as realitetin jashtë kësaj bote.

Ndërkohë, Amnesty International ka bërë thirrje për mbylljen e bordellos dhe zhvendosjen e grave në ambiente të sigurta e me mundësi punësimi, por reagimi i autoriteteve mbetet i vakët. Organizatat lokale raportojnë për rritje të vetëvrasjeve dhe ndërtim varrezash private, pasi shumë trupa janë refuzuar nga fshatrat përreth.

“E mbulova foshnjën e vdekur të fqinjës me bambu, që qentë të mos e shqyenin,” thotë një prej grave që ka kaluar 50 vjet në Daulatdia.

Ndërsa vendi përgatitet për hapjen ndaj turistëve dhe investimeve, mijëra vajza në Daulatdia vazhdojnë të mbijetojnë në një realitet që bota refuzon ta shohë. Për ta, koha është ndalur — në një fshat pa fëmijëri, pa të ardhme, pa zë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button