AKTUALITETEKONOMITOP-NEWS

“Po na merrni djersën me çmim kostoje!” – Fermerët e Dimalit dhe Rroskovecit ngrihen në protestë.


Dimal – Një situatë e rëndë ekonomike ka detyruar fermerët e zonës së Myzeqesë të dalin në protestë këtë të enjte, duke ngritur alarmin për falimentimin e sektorit të serave. Fermerët nga bashkitë Dimal dhe Rroskovec janë mbledhur në qendër të fshatit Samaticë, ku kanë protestuar kundër pikave të grumbullimit, të cilat – sipas tyre – po u blejnë prodhimin me çmime nën kosto, duke i çuar drejt humbjes së sigurt.

Të organizuar dhe të vendosur, protestuesit kanë shprehur hapur shqetësimin për mungesën e kontrollit në treg dhe për abuzimet që, sipas tyre, po bëhen në kurriz të fermerëve. Ata kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga shteti për vendosjen e rregullave të qarta dhe garantimin e çmimeve të drejta për produktet bujqësore.

“Po punojmë gjithë vitin dhe në fund na e marrin prodhimin me çmim që nuk mbulon as shpenzimet. Kjo është e papranueshme. Nëse nuk ndërhyn shteti, do të detyrohemi të bojkotojmë mbjelljet,” shprehen fermerët gjatë protestës.

Zona në fjalë është një ndër më të rëndësishmet për prodhimin e perimeve në vend dhe për eksporte veçanërisht domateve dhe kastravecëve të serave. Mijëra familje mbështeten te ky aktivitet për të siguruar jetesën, ndërsa investimet në sera janë të konsiderueshme dhe kërkojnë kosto të larta për mirëmbajtje, plehra kimike, farëra dhe fuqi punëtore.

Sipas të dhënave nga vetë protestuesit, në këtë protestë janë bashkuar fermerë nga katër fshatra të bashkisë Dimal dhe tre fshatra të bashkisë Rroskovec, duke treguar se pakënaqësia është e përhapur në të gjithë zonën. Ata theksojnë se situata është bërë e papërballueshme dhe se shumë familje janë në prag të braktisjes së bujqësisë.

Përveç bojkotit të prodhimit, fermerët paralajmërojnë edhe masa më të forta, si mbyllja e serave dhe largimi drejt emigracionit, si e vetmja rrugë për të siguruar të ardhura për familjet e tyre.

“Këtu nuk jetohet më. Nëse nuk ndryshon situata, do të ikim jashtë vendit. Nuk kemi zgjidhje tjetër,” shprehen disa prej tyre.

Në përfundim të protestës, fermerët bënë thirrje për reagim urgjent nga institucionet përgjegjëse, duke theksuar se nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh, protestat do të përshkallëzohen dhe mund të përfshijnë edhe bllokime rrugësh apo forma të tjera reagimi.

Kriza e çmimeve në tregun bujqësor mbetet një nga sfidat më të mëdha për fermerët shqiptarë, ndërsa mungesa e politikave mbështetëse rrezikon të dëmtojë rëndë një sektor jetik për ekonominë e vendit.