Politika shqiptare dhe iluzioni i “takimeve” në Amerikë!

Nga Vladimir Selamaj/ Athinë
Nga ditët e fundit, media vizive, e shkruar dhe portalet online janë mbushur me lajme të tipit sensacional: “Filan politikan shqiptar takoi kongresmenin amerikan X”, apo “figura të njohura politike shqiptare realizuan takime të rëndësishme në SHBA”. Fotot shoqëruese, buzëqeshjet e gjera dhe titujt bombastikë krijojnë idenë e një diplomacie aktive dhe të suksesshme.
Por e vërteta është shumë më e thjeshtë , dhe më zhgënjyese. Këto “takime” kanë ndodhur në kuadër të lutjeve të mëngjesit në Shtetet e Bashkuara, evente publike ku marrin pjesë qindra persona nga vende të ndryshme, pa asnjë peshë politike apo diplomatike konkrete. Shndërrimi i këtyre momenteve formale në “arritje madhore” tregon më shumë për varfërinë politike të klasës sonë drejtuese sesa për ndonjë sukses real.
Ajo që bie më shumë në sy janë buzëqeshjet në foto: buzëqeshje të sforcuara, të etura për pushtet dhe për propagandë, ndërkohë që realiteti në Shqipëri mbetet i pandryshuar. Ironia më e madhe është se këto udhëtime realizohen me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Asnjë cent nga xhepat personalë të politikanëve, por nga qytetarët që çdo ditë përballen me varfëri, papunësi dhe mungesë shprese.
Një pyetje lind natyrshëm: çfarë lutjeje bënë këta politikanë për Shqipërinë dhe për popullin shqiptar? Për drejtësi të pavarur? Për fundin e korrupsionit? Për një shtet funksional ku ligji zbatohet njësoj për të gjithë? Apo thjesht për vazhdimin e karrierës së tyre politike?
Fatkeqësisht, historia na ka dhënë përgjigjen. Klasa politike shqiptare ka qenë, është dhe vazhdon të mbetet një dështim. E zhytur në korrupsion, e paprekshme nga ligji dhe e shkëputur nga realiteti i qytetarëve, ajo ka ndërtuar një sistem ku drejtësia dhe politika ecin paralelisht në të njëjtën rrugë të gabuar.
Në këto kushte, zhgënjimi i qytetarëve është i thellë dhe i justifikuar. Madje, për shumëkënd, ideja që Shqipëria të kalojë nën një lloj protektorati të një shteti të fuqishëm europian duket më pak e dhimbshme sesa vazhdimi i qeverisjes nga një elitë politike që i ka shërbyer vetëm vetes.
Ky nuk është një dështim i imazhit, por një dështim i shtetit. Dhe asnjë foto me kongresmenë amerikanë nuk mund ta fshehë këtë të vërtet









