Policia spanjolle njoftoi se kishte finalizuar një operacion të koduar “ALCOS”. Në pranga janë vënë 3 persona dhe është shpallur në kërkim një i katërt, të moshës 28 deri në 47 vjeç, të cilët akuzohen si autorë të dyshuar të 13 grabitjeve nëpër shtëpi. Hetimet nisën në fillim të korrikut të vitit 2021 në lidhje me grabitjet e kryer në disa shtëpi në qytetin El Espinar.
Aty u vodh një sasi e madhe bizhuterish dhe para me një vlerë prej më shumë se 100 mijë euro. Pas hetimeve të para u zbulua se bëhej fjalë për një grup kriminal me origjinë shqiptare të vendosur përkohësisht në Madrid. Ata udhëtonin për në qytetin El Espinar ku kryenin akte të shumta kriminale, duke shkaktuar alarm të madh social tek banorët e qytetit.
Sipas medieve spanjolle anëtarët e grupit kriminal vepronin në mënyrë “shumë profesionale”. Ata futeshin në banesa të përzgjedhura më parë, duke përfituar nga mungesa e pronarëve të tyre. Kalonin gardhet rrethuese dhe kërkonin dritare ose ballkone të vendosura në pjesën e pasme të shtëpive. Duke përdorur mjete të tipit kaçavidë ose të ngjashme hynin në brendësi. Ata vidhnin vetëm para, bizhuteri dhe ora me vlerë.
Për këtë ata kishin marrë njohuri mbi bizhuteritë dhe orët me vlerë të lartë ekonomike. Ata përdorën edhe një rrjet bashkëpunëtorësh, të cilët siguronin strehim dhe automjete për grupin. Automjetet merreshin në emër të palëve të treta dhe zëvendësoheshin shpesh me qëllim vështirësimin e identifikimit të tyre.
Ata përdornin numra telefoni në emër të palëve të treta, të cilët i zëvendësonin çdo javë. Gjatë hetimeve u bë e mundur të verifikohej se pas kryerjes së vjedhjeve, autorët shkonin drejt një zone ku një pjesëtar i grupit ishte përgjegjës për “dërgimin” e bizhuterive në Shqipëri. Si zakonisht në këtë lloj aktiviteti, anëtarët e saj udhëtonin nga Shqipëria në Spanjë sipas stinës. Pasi mbaronin punë ata ktheheshin në Shqipëri për të pushuar.
Pas disa muajsh ktheheshin sërish për të rifilluar aktivitetin. Ata shmangnin përdorimin e aeroporteve duke udhëtuar në rrugë tokësore për të vështirësuar zbulimin e tyre. Pas një hetimi të vështirë ata u identifikuan. Njëri prej tyre u arrestua në Hendaye (Francë), pasi u përgjua teksa po udhëtonte me një automjet ku kishte fshehur 400 bizhuteri. 2 të tjerë u vunë në pranga në lokacione të ndryshme në Madrid dhe një i katërt është në kërkim pasi aktualisht ndodhet në arrati në Shqipëri.