AKTUALITETEKONOMITOP-NEWS

Prodhimet e fushës po kalben në ara. Fermerët duan tregje. Subvenvione ka vetëm në letra (foto e video)

FierNë zonën e Qarrit të njësisë administrative Levan prodhimet bio po kalben në arë, fermerët të braktisur nga qeveria. Subvencionet qeveritare vetëm në letra.

Në zemër të verës, kur fusha jep prodhime të freskëta e të shëndetshme, pa pesticide, fermerët e Qarrit në njësinë administrative Levan po përballen me një realitet të hidhur: domatet, specat, patëllxhanët dhe bostanet mbeten të pashitura.

Tregjet e shumicës dhe pakicës janë bosh. Edhe kur çmimet bien në 20 apo 30 lekë për kilogram, blerës nuk ka. Fermerët detyrohen t’i shesin prodhimet para banesave të tyre, duke pritur ndonjë kalimtar rastësor.

Shkaku? Rënia e fuqisë blerëse. Fshatrat janë zbrazur. Ekonomia e dobët po i mbyt. “Nuk po nxjerrim as shpenzimet tona,” thonë fermerët. “Vetëm kur vijnë bashkëfshatarët nga emigracioni për pushime, ose kur kalojnë pushuesit për në Pish Poro, shitet diçka.”

Kjo nuk është thjesht një çështje tregu, është një histori braktisjeje. Fermerët thonë se subvencionet qeveritare ekzistojnë vetëm në letër. “Asnjëherë nuk kemi marrë ndihmë. Disa aplikojnë dhe nuk marrin, të tjerë as nuk mundohen – se ka vetëm sorollatje,” tregojnë ata.

Prodhimet janë bio. Të pastra. Të shëndetshme. Por po mbeten në arë. Çdo ditë që kalon, humbjet rriten. Mundimi i një viti të tërë rrezikon të kthehet në zero.

Ky është realiteti i shumë zonave rurale në vend: toka jep, njerëzit punojnë, por sistemi nuk mbështet. Dhe ndërsa fshatrat boshatisen, prodhimet e stinës mbeten pa blerës – dhe fermerët, pa shpresë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button