Monday, October 7, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeAKTUALITETProfesori i ekonomisë - Ramës: Po proteston elita e kombit!

Profesori i ekonomisë – Ramës: Po proteston elita e kombit!

VALENTINA MADANI/ Sherif Bundo, ish-deputet i PS-së, prej vitesh pedagog i Fakultetit të Ekonomisë, mbështet protestën e pedagogëve dhe denoncon qeverinë për sjellje arrogante, pasi sipas tij nuk po e kupton se po proteston një pjesë e elitës së kombit.

Bundo thotë për gazetën “Panorama” se në një situatë të acarimit të raporteve sociale, Kryeministri Edi Rama duhet të reflektojë duke plotësuar kërkesat e pedagogëve për rritjen e pagave, sa ato në Kosovë, apo në Maqedoninë e Veriut. Kurse opozitës i kërkon që të mbështesë rritjen e pakënaqësive ndaj qeverisjes. Ai shprehet se pedagogët nuk frikësohen nga vetingu, por ata që abuzojnë janë politikanët dhe për ta duhet një skaner i fortë.

Z. Bundo, para 4 vitesh teksa studentët protestuan për kushtet më të mira përfshi dhe uljen e tarifave ju e konsideruat Kryeministrin Edi Rama si të pabesueshëm. Por, prej disa ditësh në protestë, janë ngritur pedagogët për rroga më të larta dhe trajtim më dinjitoz, a e besoni se ata e kanë drejtësinë me vete…?

Më lejoni të nënvizoj që në fillim, se kur është në lojë emri i pedagogëve, kur flitet për statusin e personelit akademik të shkollave të larta, kur flitet për profesorët dhe doktorët e shkencave, flasim për një pjesë aktive të elitës së shoqërisë. Elitat shquhen nga fakti se nuk kundërshtojnë kollaj, por jo se binden kollaj. Elitat kanë instrumente të tjera të kalibrimit për të çmuar raportin dhe përgjegjësinë me shoqërinë. Por, në se elitat protestojnë atëherë duhet të bindemi me lehtësi se diçka e jashtëzakonshme ka ndodhur. Ka ndodhur një mbrapshti e madhe që i detyron pedagogët të lënë auditorët dhe të protestojnë shesheve.

Mos harroni: pedagogët auditorin e kanë pasionin e tyre, e kanë dashurinë e tyre profesionale dhe shkencore, e kanë shtratin ku kanë rritur emrin e tyre. Shkolla, auditori dhe studentët për një pedagog janë të shenjta dhe vetëm diçka që ka të bëjë me pamundësitë për të vazhduar më tej, i detyron ata të protestojnë. Para katër vitesh, studentët kishin disa kërkesa që i parashtruan para qeverisë, por kërkesa për të ulur dhe reduktuar tarifat e shkollimit ishte lokomotiva e të gjitha kërkesave. Studentët në fakt shprehën dufin dhe pamundësinë e familjeve të tyre për të përballuar vazhdimin e shkollës me ato tarifa.

Studentët kërkuan këshillat e mia dhe atëherë unë, me përgjegjësinë e prindit, por edhe të profesorit, ju kërkova që të bënin kujdes se politika është e pabesueshme dhe se Rama ka si karakteristikë kryesore në profilin e tij politik që nuk mban fjalën, është sa i pabesueshëm aq edhe i paparashikueshëm. Atëherë ai reagoi keq, shumë keq, por mori përgjigjen e merituar prej mijëra dhe mijëra studentëve. Sigurisht koha vërtetoi katërçipërisht deklaratat e mia, por kjo nuk më gëzon. Pedagogët me kërkesën për rritje të pagës me deri 30 % në fakt nuk kërkojnë vërtetë rritje të pagës, por thjesht indeksim të pagës, mbrojtje të nivelit aktual të të ardhurave reale nga kontratat e punësimit, të cilat janë kërcënuar dhe prekur prej inflacionit, që publiku e shpreh si rritje të çmimeve për më shumë se 35-40%. Kërkesa për trajtimin dinjitoz të stafeve akademike në shkollat e larta publike është gjëja më elementare që artikulohet.

Pedagogët, elita akademike e shoqërisë, kanë përgjegjësinë që të reflektojnë thellë në ndërgjegjen e tyre. Ata kanë përgjegjësi shumëfishe para publikut dhe vendit. Në analizat e tyre janë shumë më të thellë dhe më të saktë, janë shumë më realistë dhe më analitikë se vetë qeveria. Dinjiteti i shkollave të larta ka të bëjë me qëndrimin që mban pronari me pronën e vet. Nuk ka lidhje më të fortë, pas lidhjeve të gjakut dhe të ndjenjave, se sa lidhjet pronësore. Qeveria, si pronare e universiteteve publike manifeston një qëndrim aspak korrekt. Kjo ka të bëjë me filozofinë e qeverisjes. Këtë lloj filozofie kundërshtuan studentët para katër vitesh dhe në thelb, këtë filozofi po kundërshtojnë edhe pedagogët sot. Qeveria nuk është e qartë lidhur me profilin e saj ndaj shkollës së lartë. Është rrjedhojë e një filozofie pa konsensus materializuar në ligjin për arsimin e lartë.

Kemi pasur rastin të shohim qëndrime emocionale, fodulle, arrogante, voluntariste, ndaj studentëve dhe ndaj pedagogëve, shpesh herë edhe ndaj senateve dhe organeve të tjera kolegjiale të drejtimit të shkollave të larta, por jo përulësinë dhe maturinë e institucioneve për të kuptuar që qeveritë e radhës janë shërbëtoret e radhës.

Rreshtimi i opozitës krah kauzës së pedagogeve prodhoi sulmet e kundërshtarit politik se PD-ja po përdor protestën për politikë, ndërkohë që demokratët pretendojnë të kundërtën. A ka të drejtë Edi Rama kur thotë se pas kësaj greve fshihen edhe qëllime politike?

Të vendosësh lupat dhe të shohësh vetëm në mënyrë të njëanshme një fenomen, në mënyrë të veçantë një fenomen të acarimit të raporteve sociale, do të thotë se nuk ke zotësinë të bësh analiza të sakta dhe se nuk të funksionon shqisa e të parit. Nëse do të më kërkoni të shprehem politikisht, do thosha pa asnjë rezervë se ndërsa qeveria bombardon opinionin me propagandën se bën gjithçka mirë dhe se gjithçka në këtë vend shkëlqen dhe bëhet për herë të parë, pra teoria e nisjes gjithnjë nga zerua, opozita frymën dhe ekzistencën e saj duhet ta mbështesë vetëm te rritja e pakënaqësive ndaj qeverisjes. Në këtë raport nuk shoh ndonjë fenomen të ri. Kështu ka bërë edhe PS-ja kur ishte në opozitë, dhe këtë unë e njoh shumë mirë. Si kryetar i opozitës, Rama në krye të PS-së, e ka ngritur në art këtë sjellje politike, dhe mirë bënte. Sot, nuk bën mirë kur protestën e pedagogëve e sheh si protestë politike.

Mua më dhëmb fakti që një qeveri e majtë, që një nga shtyllat e filozofisë së saj ka pikërisht mbështetjen e fortë të arsimit publik, të shërbimeve publike, të parqeve sociale dhe të mirëkuptimit dhe solidaritetit, vrapon të përdorë gjithë energjitë e saj për të mbështetur shtresat e pasura. Një qeveri e majtë që nuk ka si bosht të qeverisjes së saj rritjen e standardit të jetës dhe arsimimin e publikut në shkollat publike, qofshin këto edhe të larta, atëherë kujt i lipsen politikat dhe partitë e majta?! E shoh si fare normale që mbas protestës të fshihen edhe interesa politike, por politikanët e zgjuar, burrat e vërtetë të shtetit, janë të tillë sepse dinë të kapin momentin, të ngrihen në nivelet e larta të interesave të atdheut dhe të ofrojnë zgjidhjet e duhura, për njerëzit e duhur dhe në kohën e duhur. Arsimi publik është kauzë e politikave dhe qeverive të majta.

A po shantazhohen stafet akademike nga kreu i qeverisë, i cili foli edhe për veting financiar ndaj pedagogëve të dypunësuar, por që nuk deklarojnë të ardhurat e plota?

Kjo kërkesë dhe artikulim i Kryeministrit është njëherësh edhe një lajthitje, por edhe një sjellje tipike e Ramës. Nuk vonoi që ta përgënjeshtronte vetë me të shpejtë, siç ndodh gjithnjë prej tij. Kështu sillet Rama gjithnjë, ndaj kujtdo që ka kurajën të kundërshtojë Ramën dhe politikat pa politikë të qeverisë së tij. Rama, politikat i ndërton pa analiza, pa studime, pa konsulta, në fillim nëpër biseda private, apo të shkruara me mesazhe, ngrihet nga gjumi, i teket të bëjë diçka se kështu i ka shpjeguar një nga njerëzit që i rri afër, edhe pse nuk është profesionist dhe merr vrull duke turfulluar.

Këto nuk janë politika. Makina shtetërore është një nga ato makina që bën punë gjigande, nga ato punë që kanë fuqinë të ndryshojnë shoqërinë, që ju ndryshojnë sjelljen njerëzve duke e bërë jetën më të mirë. Analizojeni vetë me vëmendje nga njëra anë kërkesën për veting si shantazh dhe nga ana tjetër kërkesën për amnisti fiskale. Unë do të thosha, çfarë ka pritur qeveria? Pse ka lejuar qeveria që të bëhet evazion fiskal nga punonjës të dypunësuar të shkollave të larta, të cilët dypunësimin e kanë të ligjshëm dhe të legalizuar po me ligjet që ka propozuar dhe miratuar qeveria e Ramës dhe shumica e tij parlamentare? Pse kryeministri kujtohet vetëm sot që filloi protesta të zërë në gojë vetingun e pedagogëve?

A nuk ju duket si sjellja e atyre çunave të mbrapshtë të lagjes, që kujtohen dhe shfryjnë për dikë vetëm kur ata manifestojnë aftësinë për të kundërshtuar ata vetë? Çfarë vetingu kërkon Kryeministri nga pedagogët? Unë nuk do bëj të njëjtën gjë me atë që bën ai, dhe të them se pse nuk kërkon të miradministrojë dhe mirëmenaxhojë bazën tatimore dhe të ardhurat tatimore qeveria e vendit tim. Unë kam më shumë të drejtë ta them një gjë të tillë, sepse Kryeministri Rama është zgjedhur përkohësisht të menaxhojë ato të ardhura që shteti i ka edhe prej tatimeve që paguaj unë me kolegët e mi në universitet publike dhe private. Ata vetë, qeveritarët pra, paguhen pikërisht nga këto të ardhura që paguajmë ne.

Si mund të mbyllet kjo protestë, ndërkohë që z. Rama deklaroi se pedagogët “ta harrojnë se do të kenë një rritje tjetër page”?

Zgjidhja sipas meje duhet kërkuar pas një analize më të qetë, larg euforisë, larg sjelljes fodulle dhe arrogante. Zgjidhja sipas meje fillon me reflektim të thellë. Zgjidhja qëndron te marrja vërtetë e profilit të majtë të një qeverie që buron nga një forcë politike e majtë. Nuk mund të ketë zgjidhje të majta nga një qeveri që votohet nga e majta dhe bën politika të djathta. Rritja, apo, sikurse e nënvizova më sipër, indeksimi i pagave për të neutralizuar efektin negativ të rënies së aftësisë blerëse të pedagogëve për shkak të rritjes së inflacionit, duhet të pranohet nga qeveria.

Burimet për të realizuar këtë rritje janë. Unë do t’i sugjeroja qeverisë dhe ministrave të saj, të kthejnë fytyrën nga profesionistët dhe aty do ti gjejnë zgjidhjet. Njerëzit profesionistë që kundërshtojnë, që kanë kurajën, që kanë ide novatore dhe që nuk shihen me syrin e keq të politikës, janë thesaret e administratës publike. Nuk e di në se është këtu vendi që të shpjegoj se, si profesor i financës shoh pafund burime të mjaftueshme për të rritur pagat e pedagogëve.

Ndërkohë, sipas bindjeve të mia, që nuk e fsheh të deklaroj se janë vërtet të majta, pagat e pedagogëve në universitetet publike nuk duhet të bazohen te financimi nga pagesat e studentëve. Pagesat e studentëve, tarifat e tyre, veçanërisht të studentëve të nivelit Master, në universitetet tona publike duhet të jenë njëlloj me ato të shkollave publike të Francës, të Gjermanisë dhe të vendeve të tjera të BE-së. Në Francë dhe në Gjermani, studentët e diplomave Master paguajnë vetëm 310-330 euro në vit, ndërkohë në vendin tonë paguajnë katër deri pesë herë më shumë.

Po niveli i pagave të prindërve të tyre këtu dhe në Francë a e dini se sa e kanë disnivelin? Pagat andej janë mesatarisht pesë deri në gjashtë herë më të larta. Kjo do të thotë se raporti i pabarazisë dhe i padrejtësisë është gati 10-12 herë. Kjo nuk mund të tolerohet. Ne kemi krijuar në modelin e arsimit të lartë një mish-mash. Kërkojmë modelin e Europës kontinentale dhe kopjojmë ligje nga modeli anglosakson. Ndaj them se kemi nevojë për administratë publike të kualifikuar, të mbrojtur me kujdes, që shërben si kolona vertebrale e shtetit. Pedagogët duhet ta kundërshtojnë me forcë dhe të mos e pranojnë që një pjesë e pagave të tyre, në universitetet publike të paguhet nga tarifat e studentëve. Jo, nuk janë këto të ardhurat dytësore të universiteteve. Tarifat e larta të studentëve në shkollat e larta janë tatime të veçanta, të jashtëzakonshme për familjet që kanë fëmijë në shkollë. Kjo nuk është e drejtë dhe këto nuk janë politika të majta.

Atë që buxheti i shtetit, nuk i jep një shkolle të lartë publike, kërkon ta plotësojë duke e detyruar shkollën e lartë publike të rritë tarifën e shkollimit. Kjo pagesë është aq e detyrueshme sa është e detyrueshme edhe pagesa për tatimin dhe taksën. Kjo shprehja “ta harrojnë këtë rritje pagash” më duket shumë vulgare, fjalor i një niveli të ulët që vetëm arsyetim racional nuk fsheh brenda saj. Nuk e di se pse më detyron të mendoj keq për përmbajtjen e ulët në argumente të këtij reagimi të përmbledhur në këtë togfjalësh “ta harrojnë…”. Njëlloj si një prind që nuk di të prindërojë dhe që kërkesës me këmbëngulje për ndonjë çokollatë të fëmijëve ju përgjigjen “harroje çokollatën”. Jo kështu. Unë drejtuesit e qeverisë dhe të shtetit dua ti shoh si njerëz me një barrë mënd, që fjalën e fundit nuk e thonë të parën dhe nuk flasin pa u menduar mirë.

Sipas z. Rama, rritja e radhës do të jetë për pensionistët, mësuesit, mjekët, policët e ushtarakët, ndërsa pedagogët, mund ta shtojnë vetë rrogën, duke u angazhuar në projekte. Si mund të angazhohen në projekte, ndërkohë që janë mësimdhënës…?

Pedagogët urojnë që pagat e mësuesve, mjekëve, policëve dhe ushtarakëve apo dhe pensionet e pensionistëve të rriten. Është në dinjitetin e shtetit shqiptar që këto shtresa t’i vështrojë me një sy tjetër. Pensionet e pensionistëve janë fare qesharake. Ironia qëndron pikërisht në faktin se individët e këtyre shtresave që votojnë të majtën janë të braktisur nga e majta. Këto shtresa që thoni ju, janë natyrshëm shtresa që kërkojnë dhe marrin në mbrojtje qeveritë dhe politikat e majta.

Angazhimi në projekte i pedagogëve është një kapitull tjetër dhe unë mund t’ju them se një pjesë e tyre, pavarësisht se aktualisht e vogël në numër, është duke e bërë shumë mirë edhe këtë detyrë. Në më të shumtën e rasteve pedagogët janë ata që i shkruajnë projektet dhe kështu duhet të ndodhë. Por a shkruhen të gjitha projektet për llogari të shkollave të larta? Këtë duhet ta kishte menaxhuar me kujdes vetë qeveria. Të detyrohen njësitë bazë dhe ato kryesore të shkruajnë projekte dhe të marrin përsipër kërkime për llogari të ekonomisë. Unë jam dakord që shkollat e larta të detyrohen të sigurojnë edhe të ardhura dytësore, por shkollën e lartë publike e shkatërroi politika që krijoi universitete në çdo qytet për të bërë qoka dhe që nuk la universitet pa e ndarë në dy e tre pjesë sikur jepte tollona.

Universitetet duhet të alokojnë më shumë fonde për kërkimin shkencor dhe projektet, në mënyrë që angazhimi në punë kërkimore të shërbejë si stimul i fortë për pedagogët. Kjo është njëra anë, ndërkohë shteti ka nevojë të kuptojë mirë, por fare mirë, se pedagogu në universitet paguhet në radhë të parë të garantojë mësimdhënien, të përgatisë leksione që reflektojnë të rejat e shkencës dhe të teknologjisë, të hapë horizonte dhe të zhvillojë aftësitë profesionale dhe kërkimore të brezave të rinj, të injektojë tek ata dashurinë për progresin, për profesionin dhe që të kenë kurajën të ballafaqohen me botën. Pedagogët kanë detyrimin të shkruajnë, të përgatisin dispensa dhe libra, si detyrim, të përkthejnë, të studiojnë vetë dhe të drejtojnë pa përtuar, gjithë jetën punën e pavarur të studentëve, të kenë kurajën të thonë të vërtetën e vërtetë edhe kur ajo prish humorin e qeverive dhe nuk i pëlqen dikujt, qoftë edhe kur nuk i pëlqen gjithë botës. Pedagogët dhe profesorati janë misionarë, nuk janë rrogëtarë.

Ata kanë njëmijë kërkesa dhe nevoja që shteti nuk ja ka garantuar. Kush i sheh thjesht si rrogëtarë është mjeran. Janë mjeranë ata që i shohin me inat dhe të mbushur me mllef shfryjnë “… çfarë kërkojnë pedagogët, çfarë duan ata”. Mos harroni se bëhet fjalë për interesa të mëdha të kombit, bëhet fjalë për atë shtresë që u ka përgatitur të gjithëve ju që keni në dorë një diplomë të lartë, se bëhet fjalë për fatet dhe të ardhmen e vendit. Kush mendon se ka në dorë shpirtin e tyre gabon rëndë. E pasi, shteti, pronari i shkollave të larta publike ti plotësojë kushtet materiale të punës dhe të jetesës, duhet tu kërkojë llogari fort edhe pedagogëve. Duhet tu kërkojë llogari atyre jo vetëm për kohën përgjatë të cilës përgatisin doktoraturat, por edhe më pas, madje t’u kërkojë edhe më shumë punime dhe studime pasi kanë mbrojtur doktoraturat. Qeveria i respekton pedagogët kur ajo i lexon studimet e tyre dhe reflekton ndaj sugjerimeve të tyre dhe nuk i përdor pedagogët dhe rektorët për interesa politike.

A e shihni si intimidim sulmin e Kryeministrit Rama ndaj kreut të sindikatës së pedagogëve Sander Kovaçi?

Kreun e Sindikatës të Universiteteve nuk e njoh. Një pedagog do ishte domosdo në krye të sindikatës, por edhe po të mos kishte fare sindikata, dikush duhet ta prezantojë zërin e pedagogëve. Me siguri sikur në krye të sindikatave të ishte dikush tjetër, atëherë për të do të ishte thënë diçka tjetër. Të gjithë kanë një të kaluar. Kjo është sjellje tipike e provokuar nga një proces i mbrapshtë të menduari, që ka si bazë mentalitetin komunist, “si guxon ti të më kundërshtosh mua”.

Kjo mënyrë të menduari është problematike. Është një kërkesë fare minimale të kërkosh paga sa ato në Kosovë, apo në Maqedoninë e Veriut. Ata që e shohin nga jashtë shkollën e lartë, që nuk janë futur dot në qelizën dhe protoplazmën e saj, nuk janë në gjendje të çmojnë dhe shprehin vlerën, ndershmërinë, përkushtimin dhe kontributet e pedagogëve. Baltosja është mjeshtëri e politikanëve grindavecë. Intimidimi është profesion i tyre, të cilët nuk harrojnë të krekosen para mediave për të nënvizuar si gjoja rastësisht atë se çfarë pune ka bërë ky apo ai person që merr kurajën të kundërshtojë politikën e qeverisë. Është një mentalitet që buron nga lodhja prej kohës së gjatë të qëndrimit në pushtet të atyre që kanë harruar të ecin në këmbë.

Pedagogët kërkojnë arsim më cilësor dhe trajtim dinjoz të tyre, ndërkohë që Edi Rama u përmendi vetingun e pasurisë. Por a duhet më parë veting për qeverinë dhe ministrat që firmosën mega aferën e inceneratorëve, koncesioneve e PPP…?

Nuk dëshiroj të bëj avokatin e askujt që nuk ka respektuar rregullat dhe ligjet e shtetit lidhur me deklarimet. Kjo ka të bëjë me kulturën tonë administrative, ligjore dhe fiskale. Unë jam për deklarim të rregullt, të çdokujt, çdo vit, të çdo individi në republikën tonë, edhe pse një pjesë nuk kanë të ardhura as mbi pagën minimale apo mbi pensionin minimal. Deklaratat për ta duhet të shërbejnë për të realizuar politikat sociale, mbrojtjen sociale dhe dorën e ngrohtë institucionale të shtetit dhe shoqërisë.

Pedagogët nuk frikësohen nga vetingu, por a është kjo pikërisht shtresa që abuzon me pozitën dhe me funksionin që ushtron? Sigurisht, duhet një skaner i fortë, duhet një transparencë e plotë e të gjitha sjelljeve materiale dhe financiare të politikanëve. Ministrat, nuk po kuptojnë se në ato poste që kanë janë shërbëtorë dhe jo agallarë. Në këtë këndvështrim, më duhet të nënvizoj edhe një element tjetër. Politikanët abuzojnë me militantët, abuzojnë me një lloj doze besimi të verbër të tyre, abuzojnë me ndarjen dhe emocionet dyzet vjeçare të luftës së klasave në vendin tonë. Kjo dhunë e militantizmit politik të militantëve mban gjithnjë në politikë njerëz të paaftë.

Këta politikanë të paaftë, gjejnë strehë te këta militantë, dhe zgjidhje me kosto shumë të larta, me eficiencë të ulët dhe që përfundimisht konsiderohen të gabuara por mjerisht pasi kalojnë disa vite. Për opinionin tim, skandali i inceneratorëve, koncesionet e PPP, paqëndrueshmëritë dhe mungesa e qartësisë në politikat fiskale, shkatërrimi i administratës publike, braktisja e qeverisjes vendore dhe mbi të gjitha keqadministrimi territorial, sidomos betonizimet e qyteteve të mëdha dhe të bregdetit, janë nga ato politika fatale që në një të ardhme të afërt do të na duhet ti shohim si fatkeqësi të mëdha kombëtare, njëlloj siç kemi parë e vlerësuar firmat piramidale, kioskat, ndërtimet pa lejë, kanabizimin, etj

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME