Pronarë plazhesh që rrihen me njëri-tjetrin, po ngrohen vetë në diell

Megjithëse fizikisht jemi në mes të sezonit veror, operatorët turistikë në jugin e vendit paralajmërojnë bilance shumë më të ulëta krahasuar me një vit më parë. Kryetari i Shoqatës së Operatorëve Turistikë të Jugut deklaron se tipologjia e turistëve ka ndryshuar ndjeshëm dhe se nuk bëhet fjalë më për pushues me fuqi reale blerëse.
“Ka prezencë, ka fluks, por nuk ka konsum. Kemi të bëjmë me një kategori turistësh që janë shumë të kursyer dhe nuk po gjenerojnë të ardhura për bizneset. Turistë të byrekut, gjizës dhe të dhallës. Në fund të muajit, presim një rënie të ndjeshme të të ardhurave në krahasim me sezonin e kaluar,” – tha ai për mediat.
Sipas tij, kjo situatë është pasojë e çmimeve të larta, pasigurisë ekonomike dhe mungesës së kontrollit të tregut në zonat turistike si Himara, Ksamil dhe Saranda.
Këtë gjë e thonl dhe vetë pronarë apo menaxherë biznesesh buzë detit në zonën e Sarandës e Ksamilit kur thonë se : ” Mirë të na bëhet, abuzuam disa vite më parë dhe ja rezultati pas tre vitesh. Bosh, bosh, bosh. Ska as nga Mali i Zi, as nga Maqedonia, shumë pak nga Kosova. Të gjithë këtë vit kanë preferuar Greqinë pasi atje ka çmim, ka standarte, ka kulturë, edukatë që e respektojnë klientin.
Ndërkohë, shumë biznese janë të shqetësuara se sezoni 2025 do të mbyllet me humbje, pavarësisht fluksit në pamje të parë.









