Epoka e Lionel Messit te Paris Saint-Germain ka përfunduar zyrtarisht. Konfirmimi ka ardhur sot nga vetë klubi parizien para ndeshjes me Clermont. Kampioni i Botës do të largohet në fund të sezonit nga klubi parisien si një lojtar i lirë.
Lamtumirën e 7 herë fituesit të Topit të Artë e kanë bërë zyrtare vetë kampionët e Francës në faqen e tyre zyrtare.
“Klubi dëshiron të falënderojë më së miri shtatë herë fituesin e Topit të Artë, i cili gjithashtu ngriti një Superkupë të Francës dhe dy tituj kampionë”, shkruhet në faqen zyrtare të PSG në Instagram.
Për largimin nga PSG foli edhe vetë “ylli” argjentinas: “Dëshiroj të falënderoj klubin, qytetin e Parisit dhe njerëzit e tij për këto dy vite. Ju uroj gjithë të mirat për të ardhmen”.
Në dy vite si lojtar i Paris Saint-Germain, Lionel Messi regjistroi 74 paraqitje, 32 gola të realizuar, 35 asistime dhe tre trofe të fituar.