“Qepe gojën, mos më bëj të të nxjerr jashtë”, dy episode të përplasjes Rama-Spiropali

Pë pathënat e mbledhjes me dyer të mbyllura në Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste
Mes Skënderbeut dhe Mamicës duket se s’ka më paqe. Sot në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste është konsumuar një tjetër akt i përplasjes Rama-Spiropali. Ajo që nisi prej fillimit kur Spiropalin e kishin ulur pranë Zegjine Caushit diku nga fundi i sallës, vijoi edhe gjatë mbledhjes kur po raportonte drejtoresha e Kadastrës, Lorena Goxhobelli dhe më pas ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili.
Lapsi.al mëson nga një burim brenda takimit për të paktën dy episode të përplasjes mes kryeministrit dhe ish-ministres së Jashtme. Le t’i marrim me radhë.
Episodi i parë u shënua teksa drejtoresha e Kadastrës po i shpjegonte deputetes së Vlorës, Zamira Sinaj, mbi një pyetje që kjo e fundit i bëri. Në shpjegim i sipër drejtoresha Lorena Goxhobelli i kërkoi deputetes që ta dëgjonte deri në fund e të mos e ndërpriste.
Kaq ka mjaftuar që Elisa Spiropali të ndërhynte si e preokupuar e madhe e t’i kujtonte drejtoreshës së ASHK, që të tregonte respekt për deputetët. “Pak më shumë respekt për deputetët, mos na fol ashtu se jemi deputetë”, mësohet të ketë thënë Spiropali.
Në këtë moment ka ndërhyrë menjëherë Edi Rama duke iu drejtuar ashpër Elisa Spiropalit. “Ti mos e hap gojën fare, po fare. Sidomos në prezencën time”, i është drejtuar ai, mëson Lapsi.al
Në një episod të dytë, përplasja ishte edhe më e fortë. Teksa ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, nisi të raportonte dhe të fliste për strategjinë e komunikimit, Elisa Spiropali bënte mimika dhe qeshte.
Ismaili e ka parë dhe i ka reaguar direkt, duke i thënë “zonja Spiropali s’ke pse qesh…”
Elisa ka bërë të paditurën duke pretenduar se në fakt ajo po qeshte me dicka që po shihte në celularin e saj dhe jo me fjalët e ministres së re të Ramës, e cila u promovua totalisht nga hici. Spiropali është ndjerë e fyer nga Erjona Ismaili për mënyrën si ju drejtua dhe i tha asaj që t’i kërkonte falje. Në këtë moment ndërhyri Edi Rama.
“Qepe gojën, mos më bëj të të nxjerr jashtë, se unë t’i them gjërate dhe në publik, e di ti..”, iu drejtua Rama-Spiropalit.
“Prandaj kam ardhur këtu, të m’i thuash në publik. Thuaju këtyre të rejave që ke marrë, të më kërkojnë falje”, iu drejtua Spiropali-Ramës.
“Nuk ndërhyn dot kur flet Erjona. Mos më provoko më tepër, se do të të nxjerr jashtë…”, ishte reagimi tjetër i ashpër i Ramës ndaj Mamicës, e cila na karrierën e saj vetëm sa e ka veneruar gjithmonë dhe krahasuar madje me Skënderbeun.
Në sallë ndërkohë kishte pllakosur heshtja. Vetëm një ndërhyrje e Erjon Braces bëri që të kapërcehej ky moment i vështirë i një përplasje të cilës nuk i dihet ende fundi.
Kujtojmë që Elisa Spiropali mungoi në senacën kur po votohej imuniteti i Belinda Ballukut. Më pas pati edhe një polemikë në distancë me kryetarin e grupit parlamentar, Taulant Balla.
Shkarkimi i Spiropalit nga Ministria e Jashtme ishte një hakmarrje personale e Belinda Ballukut, e cila bashkë me Ramën shikonin te Elisa njeriun që fliste më shumë se c’duhej nëpër diplomatë e ambasadorë kundër ish-zv.kryeministres.
Zor të parashikosh saktësisht se në c’trajtë do të zhvillohet më tej kjo përplasje mes Skënderbeut dhe Mamicës së tij në PS. Drama më e madhe që po luhet aktualisht në Partinë Socialiste nuk është pse Elisa është zemëruar më Skënderbeun e saj, por se si kjo parti është shndërruar në një kazermë politike ku s’ka më kush t’i kundërvihet Edi Ramës.
Edhe Elisa ngjan më shumë me një grua të dëshpëruar që thjesht po nxjerr dufin sesa me një figurë politike që realisht po i del kundër lidershipit të partisë për cështje parimore që lidhen me demokracinë e brendshme, qeverisjen apo një set të caktuar vlerash të panegociueshme për një vend që aspiron të jetë në BE. Elisa me gjasë ka për të qenë vetëm një aksident politik i radhës në botën e cudirave të Edi Ramës. ©LAPSI.al











