Qeveria miratoi në mbledhjen e zhvilluar pasditen e kësaj të mërkure amnistinë për një sërë dënimesh të formës së prerë. Nga kjo amnisti pritet të përfitojnë rreth 600 të dënuar për vepra të lehta penale. Qeveria thotë se dhënia e amnistisë udhëhiqet parimi i humanizmit; arritja e qëllimit të dënimit; rrezikshmëria e ulët e personave që amnistohen; edukimi dhe rehabilitimi; mbrojtja e interesit publik; dhënia e mundësisë së integrimit më të lehtë dhe më të shpejtë të të dënuarve të mitur dhe femra; rritja e efiçencës në sistemin e drejtësisë dhe mbrojtja e interesit më të lartë të fëmijëve.
Përfitojnë vetëm të dënuarit me vendim të formës së prerë brenda datës 30 nëntor 2023.
Përjashtohen nga vuajtja e dënimit:
a) personat meshkuj, dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 3 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën ose një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, për dënime të dhëna deri në datën 30.11.2023, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi;
b) personat femra, dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 4 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën ose një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, për dënime të dhëna deri në datën 30.11.2023, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi;
c) personat meshkuj, dënuar me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 3 vjet;
ç) personat femra, dënuar me burgim, të cilave, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 4 vjet;
d) personat e dënuar meshkuj, të cilët në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji janë baras ose mbi moshën 60 vjeç;
dh) personat e dënuar femra, të cilat, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 50 vjeç;
e) personat e dënuar me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç.
2. Nuk përjashtohen nga vuajtja e dënimit personat, të cilët i janë shmangur drejtësisë, sipas përcaktimit të pikës 2, të nenit 2, të këtij ligji.
Kriteret për përfitimin e amnistisë nga zbritja e dënimit
1. Të gjithë personave të dënuar, të cilët nuk plotësojnë kriteret për t’u përjashtuar nga vuajtja e dënimit, sipas nenit 3 të këtij ligji ose, edhe pse plotësojnë kriteret për përfitimin e amnistisë sipas këtij neni, nuk përjashtohen nga vuajtja e dënimit për shkak të kritereve ndaluese të përcaktuara në pikat 1 dhe 2, të nenit 4 të këtij ligji, u zbritet:
a) 1 vit e gjysmë nga dënimi i mbetur, për personat e dënuar, gra, dhe të mitur;
b) 1 vit nga dënimi i mbetur, për personat e dënuar, burra.
2. Pavarësisht nga parashikimet e pikës 1, të këtij neni, nuk përfitojnë zbritje të dënimit:
a) personat e dënuar me burgim për veprat penale të parashikuara në nenet 79, 79/a, 79/b dhe 79/c të Kodit Penal;
b) personat e dënuar me burgim të përjetshëm;
c) personat e dënuar, akuzat penale ndaj të cilëve janë gjykuar nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, sipas përcaktimeve të nenit 75/a të Kodit të Procedurës Penale.
3. Nuk përfitojnë nga zbritja e dënimit personat, të cilët i janë shmangur drejtësisë, sipas përcaktimit të pikës 2, të nenit 2, të këtij ligji.
Kriteret për përfitimin e amnistisë nga ndjekja penale
1. Përjashtohen nga ndjekja penale të gjitha çështjet penale në hetim, çështjet e pashqyrtuara ose në proces shqyrtimi nga gjykatat, si dhe kallëzimet që ndodhen në këto organe, pavarësisht nga data e regjistrimit të tyre, për veprat penale të kryera deri në datën 30.11.2023, për të cilat Kodi Penal dhe Kodi Penal Ushtarak parashikon një dënim me burgim në maksimum deri në 2 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, me përjashtim të veprave të parashikuara nga nenet 90, 91, 92, 96, 112/1, në nenet 119, 119/a, 119/b, 120, 121, 122, në paragrafin e parë të nenit 124/b, në nenet 125, 127, 204, 205, 206, 207, në paragrafin e parë të nenit 236, në paragrafin e parë të nenit 238, në paragrafin e parë dhe të tretë të nenit 245/1, në paragrafin e parë të nenit 257/a, në nenet 269 dhe 318 të Kodit Penal.
2. Nuk përfitojnë nga ky nen personat të cilët i janë shmangur drejtësisë.
3. Nuk përfitojnë nga pika 1 e këtij neni subjektet që kanë detyrimin për të deklaruar sipas ligjit nr.9049, datë 10.4.2003, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, si dhe subjektet e posaçme, akuzat penale ndaj të cilëve gjykohen nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar sipas përcaktimeve të shkronjave “c” dhe “ç”, të nenit 75/a të Kodit të Procedurës Penale.