Radhë kilometrike makinash në Qafë Thanë, turistët kthehen nga Korça me goma vere
Reshjet e dendura të dëborës, përpos pamjes së bukur që ofrojnë për turistët, kanë shkaktuar probleme të shumta në qarkullim, kryesisht në aksin Përrenjas – Qafë Thanë.
Mediat raportojnë se drejtuesit po përballen me vështirësi në lëvizje, madje edhe me goma dimërore është thuajse e pamundur qarkullimi.
Në këtë aks janë krijuar radhë të gjata automjetesh ndërsa shoferët kanë ndaluar qarkullimin për shkak të rrezikut për dalje nga rruga.
Reshjet e vazhdueshme të dëborës kanë rënduar situatën në juglindje të vendit.
Sipas të dhënave dhe pamjeve të siguruara, duket se problematike mbetet aksi nacional Korçë – Pogradec dhe Pogradec – Qafë Thanë, ku duket trashësia e borës e cila në temperaturat e ulëta po ngrin dhe ka rrezik në qarkullimin e mjeteve të cilët nuk janë të pajisur me zinxhirë.
Edhe nga Autoriteti Rrugor konfirmohet se Qafë Thana mbetet aksi më problematik për shkak edhe të turistëve që largohen nga Korça drejt Tiranës. Vështirësi po hasin edhe borëpastrueset në këtë zonë.