Rama kundër SPAK/ Gentiana Sula nuk u bë zv.ministre nga Veliaj

Edi Rama ka përgënjeshtruar një nga faktet, që sipas dosjes së SPAK, tregon marrëdhënien klienteliste mes Erjon Veliajt dhe një prej ndërtuesve të marrë të pandehur, Genti Sulën. Bëhet fjalë për emërimin e bashkëshortes së tij, si zv.ministre në të njëjtën ministri ku Veliaj ishte titullar. Sipas SPAK, marrëdhënia mes Veliajt dhe Sulës daton gati 20 vite më parë dhe në denoncimin anonim të Nesti Angonit, thuhet se në kohën që Erion Veliaj u emërua Ministër i Punës, bleu një pasuri të paluatshme-banesë, në bllokun rezidencial “Kodra e Diellit”, në pronësi të shtetasit Genti Sula.
Pas kësaj, bashkëshortja e këtij të fundit u emërua zv. Ministre tek Ministria ku shtetasi Erion Veliaj ishte titullar. Më pas, banesa në fjalë është shtuar me një kat dhe për të është ndërtuar një ashensor i veçantë.
Gjithashtu, në kallëzim shpjegohet se që prej asaj kohe marrëdhënia e këtyre dy shtetasve është e pandarë. Shoqëria “AGI KONS”, me pronar shtetasin Genti Sula përfshihet edhe për Teatrin Kombëtar.
Gjithashtu, në informacion përmendet se shtetasi Erion Veliaj aktualisht posedon 3 vila në fshatin Rezidencial në Qerret Kavajë, të ndërtuar nga shoqëria “Agi Kons” e shtetasit Genti Sula.
Një nga këto vila posedohet nga vëllai i shtetasit Erion Veliaj, ndërsa të tretën ky i fundit e ka shembur, ndërkohë që të dyja vilat ekzistuese i ka rikonstruktuar.
Vlera e vilave, sipas kallëzuesit kap shifrën e rreth 500 mijë Eurove.
Ndërsa vilën e tretë, kallëzuesi shpjegon se shtetasi Erion Veliaj e ka rrafshuar, duke shpërdoruar 500.000 Euro me qëllim krijimin e hapësirave shtesë.
Për prishjen e objektit janë shfrytëzuar makineritë e Ujësjellësit Kavajë.
Në këtë pikë, kallëzuesi shtron pyetjen nëse për këtë shembje është marrë më parë një leje apo ekziston ndonjë faturë që dokumenton shpenzimet e bëra.
Të gjitha këto, vijon kallëzuesi, të shtyjnë të mendosh se ku i gjeti shtetasi Erion Velaj mundësitë financiare dhe nëse ekzistojnë dokumente të blerjeve, pagesa bankare etj.
Por në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama ka hedhur poshtë narrativën e SPAK për shkëmbimin e favoreve mes Erjon Veliajt dhe Genti Sulës, duke thënë se propozimin për ta bërë zv.ministre Genta Sulën e bëri Ilir Meta, atëherë në koalicion me PS.
“Një element të thjeshtë që unë e di. Aty thuhet që Veliaj ka bërë zëvendëse ministrie grua e një biznesmeni, pasi ky i fundit e ka marrë me avion diku. Nuk di a ka pasur një udhëtim më parë, por që të arrish në konkluzionin që zv.ministrja është vendosur si rezultat i atij udhëtimi këtë mund ta bësh në dy rrugë, ose me shkollën e sigurimit të shtetit, çfarë bëjë ti në veturën e ambasadës jugosllave, ose ta kesh të provuar bisedën. Zv.ministrja e Punës dhe çështjeve sociale është vendosur aty me kërkesë të ish-kryetarit të Kuvendit mua personalisht kur ishim në koalicion. Më ka kërkuar që të flas me Erionin dhe të vendoset kjo grua nga shoqëria civile se është pranë nesh, është vajzë e mirë, etj etj. Kjo është e vërteta. Si mund ta shkruash ti në një aktakuzë penale këtë. Të tilla ka plot. Provat janë ato që e ndajnë këtë punë”, tha Rama.